Në pesë pika, ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, sqaron arsyet që, sipas tij, duhet të kthehet në krye të këtij institucioni.
Ankesa prej tri faqesh, të cilën Sopi e ka dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, vjen si kundërpërgjigje e regjisorit ndaj shkarkimit që i ka bërë Këshilli Drejtues i TKK-së të hënën e javës së kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në këtë dokument, të cilin Sopi e ka dorëzuar në MKRS të premten, përmend ato që sipas tij janë arsyet për të cilat gjashtë nga shtatë anëtarët e Këshillit kanë votuar që Sopit t’i ndërpritet mandati katërvjeçar, duke bërë që ai të qëndrojë në institucionin më të lartë teatror në vend si drejtor i përgjithshëm për vetëm dy vjet.
Por në anën tjetër gazeta ka mësuar se sot (e martë) në orën 09:30, anëtarët e Këshillit Drejtues do të mblidhen në TKK për ta caktuar aktoren Kumrie Hoxha si ushtruese të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.
Këtë ia ka konfirmuar të hënën gazetës edhe kryesuesja e KD të TKK-së, Burbuqe Berisha. “Po, Kumrije Hoxha do të caktohet ushtruese detyre e drejtoreshës”, ka thënë Berisha
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënë se ky institucion do ta shqyrtojë ankesën.