Sulmuesi kosovar, Agim Zeka është transferuar te skuadra e Bundesligës së Austrisë, Austria e Vjenës, është bërë e ditur të mërkurën në faqen zyrtare të klubit. Ai te skuadra e Austrisë është transferuar si lojtar i lirë.
Ish-sulmuesi i U-21 të Shqipërisë së fundi ishte pjesë e skuadrës belge, Royal Mouscron. Drejtori i përgjithshëm i Austrisë së Vjenës, Peter Stoger ka thënë se 22-vjeçari është lojtar me perspektivë dhe i duhet klubit në këto momente të vështira që po kalon klubi shkaku i lëndimeve të shumta.
“Ne kemi sjellë një lojtar të ri që në të kaluarën ka luajtur për U-21 e Shqipërisë. Ai na forcon dhe është një alternativë tjetër për trajnerin. Kohët e fundit kemi humbur disa lojtarë në përgatitje për shkak të lëndimeve dhe kemi reaguar mirë brenda mundësive tona financiare”, ka thënë Soger. Zeka në të kaluarën ka luajtur edhe për të rinjtë e Prishtinës, Skënderbeut, Lille B, Varzim, Fortuna Sittard.