Përmes përdorimit të dronëve, Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK) po synon parandalimin e prerjes ilegale të pyjeve në vend, raporton Ekonomia Online.
Për këtë qëllim, të mërkurën, në Parkun Nacional të Blinajës, APK-së iu dorëzuan dy dronë, në kuadër të programit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë”.
Programi është financuar nga Ambasada Suedeze dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe do të implementohet nga Organizata Botërore e Ushqimit (FAO).
Pas dorëzimit, u zhvillua edhe një trajnim për mbikëqyrësit e pyjeve, me ç’rast u prezantuan edhe elementet dhe specifikat kryesore të dronëve.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, u shpreh i kënaqur që Agjencia e Pyjeve po bëhet me këta dronë modernë, përmes të cilëve do të kontrollojë në mënyrë më efikase dhe do të parandalojë prerjet ilegale të pyjeve të Kosovës.
Ai për Ekonomia Online tha se dronët janë të teknologjisë së fundit dhe do t’i mundësojnë APK-së të parandalojë prerjen ilegale të pyjeve.
Peci theksoi se këto aktivitete janë në funksion të implementimit të Strategjisë edhe të Ligjit për Pyjet.
“Na gëzon fakti që po përmbushet objektivi dhe synimi jonë për një menaxhim më të mirë të pyjeve të Kosovës si një aset kombëtar shumë i çmueshëm. Në përkrahje kemi edhe partner e organizata ndërkombëtare më këtë rast sikurse është FAO, që i kanë dhuruar shume pajisje Agjencisë së Pyjeve dhe tash i bashkëngjiten edhe njëra prej pajisjeve shumë moderne për dronë, që përmes të cilave ne do të kontrollojmë dhe parandalojnë prerjet ilegale të pyjeve të Kosovës”, u shpreh Peci.
“Gjithë këto aktivitete janë në funksion të implementimit që i ka strategjia edhe ligji për pyjet e Kosovës dhe po shkojmë gradualisht drejt një krijimi të mekanizmave dhe hapave që janë të vendosur dhe që janë lehtë të qasshëm për gjithë ata që i vërsulen dëmtimit të pasurisë që na ka dhuruar Zoti, në këtë rast që janë pyjet e Kosovës”, tha tutje Peci.
Njëri nga trajnuesit e këtij programi, Lorik Haxhiu, tregoi për EO, specifikat e dronëve.
Ai tha se dronët mund të operojnë deri në 15 kilometra dhe janë të pajisur me kamera me katër senzorë.
“Specifikat kryesore të këtij droni është se është i dizajnuar për shërbime të shtetit, për shembull si Agjencia e Pyjeve, policia, shfrytëzohet për mbështetje nga ajri për ekipet e zjarrfikësve dhe për rastet e kërkim shpëtimit. Është dron industrial, është i durueshëm ndaj kushteve atmosferike, duron erë të fortë, duron edhe shi. Ka një bateri apo dy të cilat i mundësojnë një fluturim prej 55 minutave”, u shpreh Haxhiu.
“Mundësohet operim në distancë deri në 15 km. Ky dron ka mundësi të konfigurimeve të ndryshme, në këtë rast për nevojat e APK-së është kamera e cila ka katër senzorë. Kamera kryesore është optike e cila mundëson vëzhgim të detajuar të zonave. Ka mundësi të zoom-it deri në 200 herë, në këtë rast mund të dallohen keqbërësit. Është kamera termale e cila mundëson pamje të ndryshme qoftë gjatë natës apo edhe gjatë ditës në i identifikim e trupave të ngrohtë”, u shpreh tutje Haxhiu.
Trajnimi për përdorimin e dronëve (DJI Matrice 300 RTK), pati qëllimin shpjegimin për përdorimin e tyre për qëllime të ndërlidhura me sektorin e pylltarisë, duke përfshirë menaxhimin e pyjeve monitorimin e shëndetit të pyjeve, ndihmën kundër zjarreve në pyje dhe për qëllime mbikëqyrjeje për të parandaluar prerjet e paligjshme dhe aktivitete të tjera kriminale, hartografimin dhe vëzhgimin, etj.
Ky ishte trajnimi i parë për përdorimin e dronëve në menaxhimin e pyjeve, por pritet që trajnime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen me module të tjera.