Pas raportimit të Gazetës Insajderi për mishin që mbahej në gjendje të tmerrshme në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka dal në terren.
Kjo agjenci ka konstatuar se mishi nuk guxon të përdore për konsum pasi që nuk ka qenë i ngrirë me kohë, për çka edhe është prishur, shkruan Insajderi.
“Inspektorët Veterinarë të Agjencisë se ushqimit dhe Veterinarisë menjëherë kanë realizuar kontrollin e depos. Aty kanë hasu në një sasi prej 21 tonë mish lloji i gjedhit. Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë”.
“Kapaciteti ftohës i depos nuk ka arritur qe të ngrijë mishin në temperaturën e nevojshme ruajtëse dhe si pasoj ka ardhë deri tek, kontaminimi apo prishja e mishit. Nga kontrolli fizik dhe organoleptik është konstatuar se mishi ka filluar të ndërroj ngjyrë, disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gjaku, qe dëshmon se mishi është shkrirë e ri ngrirë dhe ka filluar të kundërmojë erë (ka filluar procesi i putrifikimit)”, tha zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi.
Sipas Thaçit, bazuar në këto të gjetura është vendosur asgjësimi i sasisë prej 21 tonësh.
“Bazuar në ligjet në fuqi dhe procedurave standarde të kontrollit, bazuar në të gjeturat e lartë cekura, inspektoret kanë vendosur qe të bëhet asgjësimi i gjithë sasisë prej 21 ton për shkak sepse nuk i plotëson kushtet për konsum”, tha Thaçi.
Sipas tij, Bashkësia Islame ka krijuar kushtet për asgjësim sipas vendimit të Inspektorëve.
“Asgjësimi ka filluar sot dhe është duke u kryer nga kompania pastrimit të mbeturinave, në deponinë të mbeturinave në Obiliq nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, tha ai.
Bashkësia Islame e Kosovës ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit lidhur me këta mish.