Agjencia Kadastrale dhe Posta e Kosovës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për përdorimin e adresave zyrtare.
Kjo marrëveshje është nënshkruar sot nga kryeshefi i Agjencisë Kadastrale, Avni Ahmeti dhe kryeshefit ekzekutiv të Postës, Shefqet Avdia.
Sipas njoftimit për media, në takim, pos tjerash është bërë edhe shkëmbimi i informacioneve të përgjithshme të institucioneve respektive dhe identifikimit të fushave ku bashkëpunimi do të mund të rritej.
“Kjo marrëveshje, pos që ka për qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve rreth shfrytëzimit dhe shpërndarjes së të dhënave të adresave zyrtare, rregullon edhe përgjegjësitë e institucioneve në fjalë karshi përdorimit të adresave, si dhe njeh dhe fuqizon rolin e Postës së Kosovës rreth informimit të të dhënave të adresave zyrtare tek qytetarët, bizneset, institucionet dhe organizatat e ndryshme”, thuhet në njoftim.
Posta e Kosovës ka shprehur gatishmëri që të bëjë shpërndarjen individuale/personale të dërgesave/informacionit tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me qëllim të informimit rreth adresave në vendbanimet ku jetojnë.
Palët u dakorduan që AKK të iniciojë formimin e Grupit Punues të përbashkët me zyrtar të Postës së Kosovës, krejt me qëllim të ngritjes së kualitetit të shërbimeve ofruar qytetarëve.