Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) si organ i pavarur dhe i specializuar për zbatimin e politikave shtetërore për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në Kosovë, ka mbetur pa drejtor nga data 24 shtator.
Deri më tani drejtori i këtij organi ka qenë Shaip Havolli, të cilit i ka skaduar mandati.
AKK e cila ka përgjegjësi në fushën e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në fushën e raportimit, zbulimit dhe hetimit të korrupsionit, ka mbetur pa shef, pasi që Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zgjedh me kohë shefin e ri të AKK-së.
Në mbledhjen e 22 shtatorit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit (Komisioni) është vendosur se nuk mund të zgjedhin një ushtrues detyre për këtë organ.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
“Anëtarët e këtij komisioni, kanë vlerësuar se nuk kanë kompetencë për ta emëruar një ushtrues detyre të drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, derisa të zgjidhet drejtori”, thuhet në njoftim.
Përderisa, posti i drejtorit të Agjencisë mbetet vakant, është e ditur se ky organ mbetet jo efikas dhe nuk mund të marrë asnjë vendim.
Pasi që sipas legjislacionit në fuqi drejtori i AKK-së ka përgjegjësi të udhëheq dhe organizon punën e Agjencisë; të mbikëqyr punën e nëpunësve të Agjencisë, të përfaqësojë Agjencinë brenda dhe jashtë vendit, të menaxhojë buxhetin e Agjencisë dhe është përgjegjës për mënyrën e shpenzimit të tij, të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare, në pajtim me ligjin në fuqi, të vendos për angazhimin e ekspertëve jashtë Agjencisë dhe ushtron edhe detyra të tjera të përcaktuara me ligj.
Ndërsa lidhur me procedurën për zgjedhjen e drejtorit, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se konkursi është mbyllur, komisoni ka krijuar grupin punues dhe se procesi është ende në fazën e grupit punues e që në bashkëpunim me ambasadën britaneze, ka përgjegjësinë për verifikimin e kushteve të kandidatëve për drejtor të AKK-së.
Ndryshe, bazuar në konkursin e shpallur, i cili është mbyllur më 21 korrik 2021, për këtë pozitë kanë aplikuar 25 kandidatë.Aplikuesit për pozitën e drejtorit të AKK-së janë: Sali Rexhepi, Sadat Lekiqi, Lulzim Xhymshiti, Ilir Islami, Adil Bytyqi, Betim Elezaj, Sadri Abazi, Halil Cenaj, Shaip Havolli, Avdi Muzliukaj, Muharrem Mustafa, Ekrem Demolli, Esad Ejupi, Afrim Atashi, Fahri Maxhuni, Visar Krasniqi, Burim Sadiku, Osman Neziri, Valbona Osmani, Blerim Kelmendi, Yll Buleshkaj, Lulzim Ismajlaj, Basri Kastrati, Artan Mezraja dhe Avdyl Jerliu.
Sipas Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit, këta kandidatë duhet t’i plotësojnë disa kushte dhe atë: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe të ketë vendbanim të përhershëm në Kosovë, të këtë së paku diplomë universiteti katërvjeçar ose master, të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale, të ketë integritet të lartë moral, të ketë së paku pesë vite përvojë pune profesionale.
Tutje, këta kandidatë parashihet t’i nënshtrohen vlerësimit nga ana e Komisionit i cili menaxhon procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë, dy prej të cilëve ia propozon Kuvendit të Kosovës për votim.
Kurse, Kuvendi i Kosovës me votim të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë të votave zgjedh njërin prej kandidatëve të propozuar, i cili zgjidhet për mandat pesë vjeçar dhe mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat tjetër.