Një sërë shkeljesh ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në Agjencinë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK).
Sipas raportit të Auditorit për pasqyrat vjetore të kësaj agjencie për vitin 2017, kjo agjenci ka shpenzuar gabimisht afro 200 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Në raport është rekomanduar që të merren masa që shpenzimet të klasifikohen dhe planifikohen sipas nevojave.
“Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se shpenzimet për mirëmbajtjen e komplekseve memoriale në vlerë 191,377€ janë shpenzuar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale”, thuhet në raport.
Kjo është edhe çështja që është theksuar dhe veçuar nga gjetjet e tjera.
Sipas raportit, gabimet në shpenzime në këtë agjenci janë evidencuar edhe në vitet paraprake. Agjencia thuhet se nuk ka bërë sa duhet as në adresimin e rekomandimeve nga vitet paraprake.