Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur një mal shkeljesh në raportin e auditimit të performancës në prokurimet e centralizuara, ku Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kishte kontraktuar derivatet e naftës me çmim më të lartë sesa kishin kontraktuar institucionet e ndryshme shtetërore.
Nga një kontraktim më i shtrenjtë i çmimit të derivateve të naftës premium buxheti i shtetit vlerësohet se është dëmtuar për hiç më pak se 633 mijë euro.
“AQP-ja kishte kontraktuar çmimin e premisë për një litër karburant prej 0.055 eurosh, ndërsa kishte autoritete kontraktuese që e kishin kontraktuar premiumin me çmim më të ulët. Ne kemi gjetur se së paku katër AK e kishin çmimin e premiumit më të ulët sesa çmimi i AQP-së”, thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së.
Sipas këtij raporti, drejtoria tjetër e AQP-së kishte kontratë në fuqi me çmim premiumi prej 0.026 eurosh për litër naftë për vetura, 0.0159 euro për benzinë dhe 0.0199 euro për litër të naftës për gjenerator dhe për ngrohje.
Në anën tjetër Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) kishte kontratë për furnizim me naftë premium prej 0,0001 eurosh, që është vetëm 0,18 për qind e çmimit të kontratës së centralizuar. “Sikur AQP-ja të kishte siguruar çmim të premiumit të njëjtë me MZHE-në, pra 0,0001 euro për litër, ajo do të mundë të kursente 633 mijë euro dhe çmimi i kontratës do të ishte më i ulët për 99 për qind”, potencohet në raportin e Auditorit.