Periudha e Ramazanit këtë vit ka nisur në 15 maj.
Në muajin e shenjtë të fesë islame, që kujton Zbulimin e Kur’anit dhe Muhamedin, agjërohet përditë, nga agimi deri në muzg.
Momentet e heqjes dorë nga ushqimi, mishërojnë traditë dhe identitet.
Heqja dorë nga ushqimi dhe pijet, edhe pse merr forma të ndryshme, është një pikëpjekje mes shumë feve, duke përfshirë edhe atë të krishterë, ku koncepti i agjërimit interpretohet ndryshe nga hebraizmi dhe islami, uji përshembull lejohet.
Në botën ortodokse ai zbatohet më rigorozisht, ndërsa në katolicizëm agjërimi ka rënë në harresë, edhe pse kërkohet dy herë në vit, të Mërkurën e Hirit dhe të Premten e Shenjtë.
Në Perëndim po shohim një zhdukje të këtyre temave nga jeta e përditshme. Për shumë teologë të kristianizmit kjo është një humbje.
Jo rastësisht, vetë papa Jorge Bergoglio pak javë më parë, shpalli një ditë agjërimi dhe lutjeje për paqen dhe pajtimin, veçanërisht për Sudanin dhe Kongon.
Në fenë ebraike është Yom Kippur, Dita e Shlyerjes. Kjo shënon momentin kur njeriu i përkushtohet lutjes dhe pendesës, ndërkohë që Zoti vendos se çfarë do të ndodhë në vitin që do të vijë, duke vulosur fatin e gjithësecilit në Librin e Jetës: agjërimi ndërfutet në këtë kontekst.
Sa u përket feve orientale? Buda pasi la shtëpinë e prindërve, iu kushtua meditimit dhe ndrydhjes së trupit, duke u katandisur deri në pragun e vdekjes. Në atë pikë pranoi një tas oriz, që ia ofroi një bareshë, dhe në atë pikë kuptoi se qasja e duhur është Rruga e Mesit, jo bollëku, por as edhe agjërimi ekstrem. Në budizëm nuk ekziston një këshillë për agjërim. Megjithatë, koncepti kyç është ai i të mos mbeturit peng i instikteve, edhe sa i përket ushqimit.
Në hinduizëm, agjërimi është një element i rëndësishëm, edhe pse është frut i një zgjedhjeje personale dhe jo i imponuar. Dita e 11 e muajit hënor konsiderohet gjithmonë pikërisht për këtë praktikë. Meditimi për një kohë të gjatë, në heshtje, pa ngrënë, është një mënyrë për t’u forcuar, me të cilën mësohet edhe si të dëgjosh veten.
Një pyetje që të gjithëve u del spontanisht, është nëse agjërimi bën dëm.
Për ata që gëzojnë shëndet normal, edhe 25 orë pa ushqim dhe ujë nuk krijojnë probleme. Por kush ka probleme shëndeti, duhet të konsultohet me mjekun, dhe ata që ndihen keq duhet ta ndërpresin menjëherë.
Edhe në rastin e Ramazanit, ruajtja e shëndetit është e rëndësishme: përjashtohen të sëmurët, fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna apo që sapo kanë lindur, por edhe ata që gjenden në udhëtim.