AGK dënon gjuhën seksiste dhe pengimin e gazetares Qliresa Hasani nga zyrtarët e KEDS-it gjatë mbulimit të protestës në Ferizaj

Prishtinë | 13 Nën 2024 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, dënon ashpër gjuhën seksiste dhe pengimin në detyrë, me të cilin është përballur gazetarja Qliresa Hasani e televizionit lokal TV Festina në Ferizaj, nga zyrtarët e KEDS-it gjatë mbulimit të protestës së banorëve përpara selisë së kësaj korporate.

Ky incident përbën ndërhyrje të rëndë në punën e gazetares dhe është një sulm me ngjyrime diskriminuese në baza gjinore direkt mbi dinjitetin e saj si profesional, ashtu edhe atë personal.

Gjatë kryerjes së detyrave profesionale, gazetarja jo vetëm që është penguar për të raportuar mbi ngjarjen, por është përballur edhe me gjuhë seksiste nga një zyrtar i KEDS-it, i cili në mënyrë të papërshtatshme i është drejtuar me fjalët: “Nuk lejohet xhirimi i objektit të institucionit, veç nëse do me ba foto me mu.”

Kjo qasje jo vetëm që shkel mbi parimet bazë të lirisë së medias, por është edhe një tentativë për të poshtëruar dhe nënvlerësuar profesionin dhe kontributin e gazetares në informimin e publikut. AGK-ja kërkon nga KEDS që të reagojë menjëherë dhe të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë.

Po ashtu, u bën thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre, duke u siguruar që askush të mos jetë subjekt i intimidimeve ose diskriminimeve për shkak të profesionit të tyre.

Të ngjashme