AGK dënon kërcënimin dhe gjuhën fyese ndaj gazetares së Kiks Kosova, Sara Aliu

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 21:52 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve ka dënuar gjuhën fyese dhe kërcënimin ndaj Saranda Aliut, gazetare në emisionin Kiks Kosova në Klan Kosova, gjatë ushtrimit të detyrës së saj.

Në reagimin e AGK-së, thuhet se Aliu ishte kërcënuar nga një burrë, që ishte subjekt i raportimit për dhunë në familje.

“Sipas njoftimit të pranuar nga gazetarja, rasti ka ndodhur më 15 dhjetor 2025, gjatë një telefonate profesionale, ku ajo është përballur me kërcënime serioze dhe gjuhë degraduese, të cilat përbëjnë pengesë të drejtpërdrejtë në ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit”, thuhet në reagimin e AGK-së, transmeton Klankosova.tv.

Asociacioni mirëpret faktin që rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe kërkon nga e njëjta dhe institucionet tjera të drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet të plotë dhe pa vonesa.

“Mosndëshkimi i rasteve të tilla rrezikon të inkurajojë sulme dhe kërcënime të tjera ndaj gazetarëve”, thuhet në tutje në këtë reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh solidaritet të plotë me gazetaren Saranda Aliu dhe rithekson se kërcënimet dhe fyerjet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë drejtpërdrejt lirinë e medias.

Siç shkruan Klan Kosova, gazetarja Aliu ishte duke e trajtuar një temë mbi dhunën në familje, kur gjatë bisedës telefonike që ajo po e zhvillonte me të dyshuarin, ky i fundit e ofendon dhe e kërcënon atë.

Të ngjashme