Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se po e përcjell me shqetësim presionin që po i bëhet gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, nga deputetët e Vetëvendosjes pas bojkotit të konferencës së ministres së MINT-it, Rozeta Hajdarit.
“Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
“AGK-ja, e konsideron bojkotin e së martës, si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe medieve, dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik”, vijon komunikata.
Për ta vënë nën presion RTK-në janë përkujdesur mbrëmë dy deputetë të partisë në pushtet – Enver Dugolli dhe Valon Ramadani. Që të dy i kanë futur duart në politikat editoriale të transmetuesit publik, nën pretendimin se detyra parësore është informimi i publikut.
Gazeta Insajderi dje raportoi me burime se bordi i RTK-së s’e ka mirëpritur vendimin e gazetares që t’i bojkotohet konferenca ministres Hajdari.
Në edicionin qëndror të lajmeve, televizioni publik ka vendosur pamje të marra nga akterët qeveritarë nga kjo konferencë.