AGK-ja dënon gjuhën linçuese të Faruk Mujkës kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj

Prishtinë | 04 Dhj 2024 | 22:54 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon sulmin që kryeshefi ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka ka bërë kundër gazetares Mimoza Koprani Muçaj, autore e emisionit Konfront në KTV.

Duke reaguar për pyetjet e gazetares në intervistë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Mujka mes tjerash e ka quajtur zhvillimin e pyetjeve si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit”.

Ish-zyrtari i Vetëvendosjes e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Putinit.

AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo.

Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngriten për interesin e publikut dhe të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese.

Të ngjashme