Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kërkon nga kryeministri Albin Kurti që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij.
AGK thekson se anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, është përfshirë të mërkurën në një sulm të radhës, të rëndë kundër medieve dhe gazetarëve.
“Në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, zoti Kurteshi ka shkruar se “AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!”. Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur “ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it””, thuhet në reagimin e AGK-së.
Reagimi i plotë i tyre:
Anëtari i partisë politike Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, është përfshirë të mërkurën në një sulm të radhës, të rëndë kundër medieve dhe gazetarëve.
Duke komentuar reagimet për emërimin e zonjës Luljeta Aliu për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, zoti Kurteshi, ka akuzuar mediet dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”.
Në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, zoti Kurteshi ka shkruar se “AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!”. Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur “ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it”.
AGK-ja, sërish i bën thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë.