AGK-ja i kërkon Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

Prishtinë | 16 Kor 2024 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që të formojë qëndrim rreth Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ky ligj u miratua javën e kaluar në Kuvend, ndërsa përmes një komunikate për media, AGK thotë se po ndjek me interesim reagimet pas miratimit të Ligjit për KPM-në.

“Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligjin nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes.

AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”, thuhet në reagim.

Sipas AGK-së, mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.

“Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, përfundon komunikata e AGK-së.

Të ngjashme