AGK-ja kërkon ndriçimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të pagjetur në Kosovë

Prishtinë | 02 Nën 2020 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kërkon ndriçimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të pagjetur në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve,  AGK-ja bën thirrje që autorët e krimeve ndaj gazetarëve të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj gazetarëve është sinjal i keq për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë dhe barrë që rëndon në vazhdimësi mbi familjet e viktimave dhe komunitetin e gazetarëve që prej vitesh kërkojnë drejtësi.  Kjo klimë e pandëshkueshmërisë  ndikon në lirinë e raportimit dhe inkurajon që në të ardhmen të ndodhin sulme e kërcënime të tjera. 

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, fton organizatat ndërkombëtare që të ndihmojnë për krijimin e një fondi të veçantë për hulumtimet e gazetarëve për hetimin dhe ndriçimin e rasteve të kolegëve tanë të vrarë dhe të pagjetur. 

“Për mua jo vetëm si Kryetare e AGK-së, jo vetëm si gazetare, por pikë së pari si njeri, është mëse e rëndësishme që jo vetëm kryrësit, por edhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë. Edhe më herët e kam thënë se mua si përfaqësuese e gazetarëve nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të kenë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelët e tjerë. Këtë e presim të gjithë, sikurse familjarët ashtu edhe ne gazetarët dhe të gjithë ata që po punojnë çdo ditë, për një shtet të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji”, u shpreh Begolli Pustina.

AGK-ja rikujton se 12 gazetarë janë vrarë gjatw dhe pas luftws në Kosovë dhe 4 gazetarë raportohen si të pagjetur.

Hetimi i këtyre rasteve ka qenë përgjegjësi e UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) e më pas EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit) ndërsa që nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumnezi, ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave të tjera penale në drejtim të gazetarëve. 

Në vitin 2018, Federata Evropiane e Gazetarëve, në takimin vjetor në Lisbonë, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet hetimi i vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve në periudhën 1998-2005 dhe kompensimi i familjeve të viktimave.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 2 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, duke iu bërë thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë masa që të luftojnë kulturën aktuale të mosndëshkimit

Në këtë ditë bëhet fushatë globale përmes së cilës kërkohet nga institucionet shtetërore që të parandalojnë dhunën në drejtim të gazetarëve.

Të ngjashme