AGK-ja kundërshton kufizimin e hapësirës së punës për mediet në Kuvend

Prishtinë | 27 Kor 2023 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka kundërshtuar kufizimin e hapësirës së punës për mediet në Kuvend.

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar se në seancën e së enjtes, janë ballafaquar me kufizim të dukshëm të kryerjes së detyrave nga hapësira e Kuvendit të Kosovës.

“Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve. AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit. AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut”, vlerëson AGK-ja.

Tutje, ky asociacion vlerëson se si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit.

Të ngjashme