Është duke u mbajtur Kuvendi i jashtëzakonshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Bordit dhe anëtarëve të bordit të AGK-së.
Në fillim të kuvendit u mbajt një minutë heshtje për humbjen e dy kolegeve gazetarë, Bekim Lumi dhe Ragip Syla.
Drejtor ekzekutiv i AGK-së, Petrit Çollaku, tha se asociacioni është përballur me vështirësi dhe sfida të mëdha, ai tha se po bëhet përpjekje në mënyrë që gazetarët ta kenë punën më të lehtë dhe të mos ndodhin kërcënime ndaj tyre por të kenë lirinë e shprehjes, raporton Ekonomia Online.
“Jemi përballur me sfida të ndryshme për lirinë e shprehjes dhe të mediave, me kryetarin e ri dhe bordin që do zgjidhet do të vazhdohet puna ku e kanë lënë bordi paraprak”, tha Çollaku.
“Puna do të vazhdohet në kërkim të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për një ambient dhe kushte më të mira për punën e gazetarëve”, tha Çollaku.
Çollaku tha se është arritur kuorumi për votimin e kandidatëve në udhëheqjen e asociacionit. Ai tha se minimumi janë 248 pjesëmarrës të regjistruar për votim, raporton Ekonomia Online.
Ulrika Richardson u shpreh e kënaqur me numrin e madh të gazetarëve të pranishëm për të marrë pjesë në kuvendin zgjedhor të AGK-së.
Ajo tha se shpreson që gazetarët të zgjedhin kryesuesin e tyre në mënyrë demokratike dhe të punojnë së bashku për të drejtat e tyre dhe lirinë e shprehjes.
“Gazetaria dhe media është elementi më i rëndësishëm në demokraci”, shtoi Richardson.
Arsim Halili, ish-anëtar i bordit, uroi që procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe bordit të AGK-së të shkojë siç është më së miri. Ai tha se ka qenë kënaqësi dhe privilegj të jetë anëtar i bordit në asociacion dhe t’u ndihmojë kolegëve gazetarë në lehtësimin e ushtrimit të profesionit, raporton EO.
“Ne për aq sa kemi mundur kemi arritur ta ruajmë AGK-në nga ndikimet politike dhe pronarët e shtëpive mediale të cilët shpesh herë kanë mundur të jenë shkelësit kryesorë të të drejtave të gazetarëve në vendin e punës”, tha Halili.