AGK-ja mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore lidhur me zgjedhjen e kryetarit të KPM-së

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore për miratimin e kërkesë-padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në fillim të këtij viti.

Gjykata Themelore e ka shpallur të paligjshëm vendimin e Bordit të KPM-së për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e kryetarit, në mbledhjen e mbajtur më 17 janar 2025.

“IKD kishte kërkuar edhe deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, paragraf ky që ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM-së të mbajtur më 17 janar. AGK-ja konsideron se zgjedhja e z. Berisha është bërë në mënyrë të paligjshme, në një përpjekje të hapur për kontroll politik të këtij institucioni nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

“Vendimi i Gjykatës Themelore i marrë sot rikthen ligjshmërinë dhe institucionet e pavarura duhet ta kenë parasysh nevojën për respektimin e plotë të ligjeve në fuqi në proceset e rëndësishme të vendimmarrjes. AGK-ja angazhohet që KPM-ja të mbetet e pavarur politikisht, në mënyrë që të përmbushë rolin e saj kushtetues në monitorimin dhe rregullimin e transmetuesve televizivë dhe radiofonikë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Të ngjashme