AGK-ja shënon 20-vjetorin e themelimit e shpërblen gazetarët – Saranda Ramaj shpallet gazetare e vitit

Prishtinë | 07 Dhj 2022 | 16:17 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka organizuar ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Vjetore të Gazetarisë dhe ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, raporton Ekonomia Online.

Ndarja e çmimeve u bë me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, Bashkimit Evropian, Zyrës së UN Women dhe Ambasadës Gjermane.

Përmes këtyre çmimeve, AGK-ja dhe partnerët e saj duan ta promovojnë lirinë dhe sigurinë e mediave dhe gazetarinë profesionale, dhe t’i nderojnë gazetarët të cilët kanë krijuar storie të jashtëzakonshme gjatë vitit 2022.

Çmimin për gazetarin e vitit e morri gazetarja e Grupit “Koha” Saranda Ramaj. TV storia më e mirë e vitit shkoi për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani. Storia e saj kishte të bënte me diskriminimet e fëmijëve rom në festën e Abetares në Pejë.

Cmimi Kameramani më i mirë e morën dy kameramanët, Korab Basha dhe Burim Mjeku nga portali “Telegrafi”. Këtë çmim, ata ia dedikuan ish-drejtorit menaxhues të këtij mediumi, Arlind Gjikolli – Gjikla, i cili vdiq të hënën.

Storia më e mirë nga sporti i takoi Dardan Idrizit nga “TV Dukagjini”.

E çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas i takoi Riola Morina dhe Medinë Dauti nga Instituti “QIKA”. Përderisa ueb storia më e mirë shkoi për Adelina Ahmeti nga “Kallxo.com”

Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se liria e shprehjes në Kosovë është stabile, por që shpesh rastet e gazetarëve nuk trajtohen me kohë nga institucionet e drejtësisë.

“Gjithmonë falënderues për mbështetësit në këtë vit. Është gjithmonë mundësi për t’i nderuar gazetarët edhe rolin e gruas në avancimin socio-ekonomike. Pastaj edhe rolin e gazetarëve në mbulimin e sportit. AGK ka ftuar gazetarë nga e gjithë Kosova pa marrë parasysh komunitetin apo gjininë. Misioni ynë është vlerësimi i gazetarisë profesionale dhe që ta mbulojë një çështje me interes”, tha ai, teksa foli për sfidat e të bërit gazetari në Kosovë.

“Shpesh gazetarët shprehen të njollosur dhe trajtimi rasteve të tyre merr kohë dhe disa prej tyre nuk marrin trajtimin e duhur”, tha ai.

“Kosova është ngritur për 17 vende sa i përket lirisë së shprehjes dhe pastaj kjo ka ndikuar në një notë pak pozitive. Liria e shprehjes në Kosovë ka mbetur stabile”, tha ai.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se AGK-ja ka rol të rëndësishëm në luftimin e dezinformatave.

Por sipas tij, mediat përballen me sfida ngase varen nga donatorët, Qeveria dhe partitë politike sa i përket reklamimit.

“Me këto çmime, ne e tërheqim vëmendjen kah e gjithë puna e bërë nga mediat, dhe të gjitha vështirësitë me të cilat përballen ato gjersa e mundësojnë demokracinë përmes informimit të publikut dhe mbajtjes së qeverive dhe zyrtarëve si llogaridhënës dhe përgjegjës. Ne të gjithë duhet të sigurojmë që gazetarët të mund të punojnë të lirë derisa të gjitha sulmet kundër mediave duhet të hetohen dhe gjykohen menjëhere”, tha Szunyog.

Vlora Tuzi shefe e zyrës së UN Womes në Kosovë, kërkoi më shumë përfshirje të grave në gazetari si vendimmarrëse.

“Ngritja e kuotës gjinore që ju e bëni është e rëndësishme dhe partneriteti me AGK është me i rëndësishëm. Janë fushat specifike që ne si zyre i financojmë”.

“Ne kemi shumë gazetare të zonja dhe jam shumë krenare për këtë. Ne duhet të kemi më shumë gra në vendimmarrje në gazetari. Duhet më shumë gra në analiza të debateve politike e ekonomike”, tha ajo.

Ambasadori gjerman i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pati fjalë të mëdha për AGK-në, të cilët kanë strehuar gazetarë nga Ukraina.

“Në demokraci mediet janë pushteti i katërt dhe ju i mbani në kontroll pushtetet dhe në këtë epokë të urrejtjes dhe dezinformimit, AGK ka një rol të rëndësishëm për të garantuar cilësi dhe jam i lumtur se mund të ju mbështesim”.

Të ngjashme