AGK-ja themelon Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës

Prishtinë | 21 Tet 2024 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka themeluar Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se themelimi i këtij rrjeti është bërë vikendin që shkoi.

“Koleget prezente propozuan e votuan Bordin Këshillëdhënës të këtij Rrjeti, i cili ka në përbërje tri super gra të dëshmuara në gazetari si: Leonida Molliqaj – redaktore në QIKA, Gentiana Begolli Pustina – udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në RTK, si dhe gazetaren nga Klan Kosova, Qëndresa Tërshani. Masha Mileusniq e ndau përvojën e saj si mentore e themelueseve të këtij rrjeti ku foli më gjërësisht për rëndësinë dhe praktikat më të mira të funksionimit të rrjeteve të grave gazetare”, thuhet në komunikatë.

Misioni i këtij Rrjeti është krijimi i një ambienti gjithëpërfshirës për gratë që punojnë në medie, parandalimin e përdorimit të gjuhës seksiste dhe mizogjene në diskurs publik, si dhe krijimi i një hapësire të sigurt për adresimin e problemeve që hasin në vendin e punës apo gjatë punës në terren.

“Rrjeti është i hapur për anëtarësim të secilës grua që punon në sektorin medial, dhe i inkurajojmë të gjithë koleget që të anëtarësohen në këtë Rrjet, në mënyrë që të kontribuojmë sa më shumë në përmirësimin e pozitës së gruas në vendet e punës, por edhe në diskursin publik. I falënderojmë përzemërsisht për kontributin e dhënë kolegeve prezente në këtë takim të parë të këtij Rrjeti, si dhe mbështetjen e padiskutueshme të dhënë nga British Council Kosovo, NDI Kosovo, OSCE Mission in Kosovo dhe European Union in Kosovo”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme