AGK: Raportimi i papërgjegjshëm për fëmijët mund të shkaktojë stigmatizim dhe pasoja afatgjata

Prishtinë | 10 Kor 2026 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Terre des hommes në Kosovë kanë organizuar konferencën me temën “Mbrojtja e Fëmijëve në Masmedia”, ku u theksua rëndësia e raportimit etik dhe përgjegjësia e mediave në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesit e organizatave dhe gazetarët pjesëmarrës vlerësuan se raportimi i papërgjegjshëm mund të shkaktojë stigmatizim, ritraumatizim dhe cenim të privatësisë së fëmijëve, ndërsa kërkuan respektim të standardeve profesionale dhe ligjore gjatë trajtimit të rasteve që përfshijnë të miturit.

Nënkryetarja e Bordit të AGK-së, Naile Dema-Selmani, tha se mediat kanë rol të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Të gjithë ne që jemi këtu, jemi të vetëdijshëm edhe e dimë rëndësinë që media ka në mbrojtjen edhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Raportimi etik, respektimi i privatësisë, dinjitetit dhe interesit më të mirë të fëmijës janë përgjegjësi të cilat kërkojnë vëmendjen edhe angazhimin e vazhdueshëm natyrisht me patjetër të gazetarëve, por edhe të aktorëve të tjerë siç mund të jenë institucionet e ndryshme të cilët kanë përgjegjësi që t’i mbrojnë fëmijët nga ekspozimi i padinjitetshëm në rastin më të lehtë thënë në mediat tona”, tha ajo.

Menaxherja e Programit të Qasjes në Drejtësi në Terre des hommes, Fjolla Hoxha-Termkolli, tha se mbrojtja e fëmijëve në media është përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë.

“Për ne mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm një mandat institucional, por është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon angazhim e çdo akteri të shoqërisë sonë. Media është një prej këtyre akterëve kyç. Media ka fuqi të informojë, edukojë, të ndikojë në opinionin publik dhe të nxisë ndryshime pozitive. Por, kur raportimi përfshin fëmijët, kjo fuqi shoqërohet me një përgjegjësi tejet të madhe. Çdo titull, deklaratë, fotografi, video apo detaj i publikuar mund të ketë dhe mund të lë pasoja afatgjata në jetën e një fëmiu. Një raportim i kujdesshëm mund të mbrojë një fëmijë dhe të kontribuojë në realizimin e të drejtave të tij apo saj. Por në anën tjetër, një raportim i papërgjegjshëm mund të shkaktojë stigmatizim, traumatizim, ritraumatizim, cenim të privatësisë dhe dëme që ndjekin këtë fëmijë për shumë vite”, tha ajo. 

Hoxha-Termkolli theksoi se mbrojtja e fëmijëve në media nuk është vetëm çështje etike, por edhe obligim ligjor.

“Pikërisht për këtë arsye mbrojtja e fëmijëve në media nuk është vetëm një çështje etike, por është edhe një detyrim ligjor. Neni 45 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës përcakton qartë se mediat janë të obliguara të raportojnë në mënyrë etike duke mbrojtur dinjitetin e fëmijës dhe duke pasur çdo herë parasysh interesin më të mirë të tij apo saj. Ligji gjithashtu ngarkon mediat me përgjegjësi për të kontribuar në rritjen e vetëdijes së publikut për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa Komisioni i Pavarur i Mediave jep mandat për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtje të dëmshme dhe në bashkëpunim me institucione të tjera përkatëse për të zhvilluar mekanizma të nevojshëm për zbatimin e këtij detyrimi”, tha ajo.

Gazetari Besian Beha tha se ekziston një vijë e hollë ndërmjet interesit publik dhe mbrojtjes së privatësisë së fëmijëve.

“Është një vijë e hollë, është një teh i hollë mes asaj se deri ku e lejon interesi publik me shku sidomos në raportimin për fëmijë. Është e vërtetë që bazuar në të gjitha praktikat edhe vendore edhe ndërkombëtare, zëri i fëmijëve duhet me u dëgju, megjithatë në rastet kur cënohet privatësia, kur cënohet dinjiteti, kur fëmijët janë subjekt i problematikave të ndryshme është shumë e rëndësishme se qysh gazetarët vendosin me i trajtu ato tema”, tha ai.

Sipas tij, një nga problemet më të mëdha mbetet publikimi i të dhënave identifikuese të fëmijëve në rastet e kronikës së zezë.

“Problematika më e madhe që e kemi diskutu edhe në trajnime dhe që unë vazhdoj me besu që ekziston në media është sidomos në rastet e kronikës së zezë, ose në rastet kur fëmijët janë subjekt i problemeve të ndryshme mes vete pra përfshihen në qoftë në rrahje apo në vepra të tjera penale. Pjesa më e madhe do të thoja e televizioneve kanë qasje ndryshe kryesisht për shkak të zinxhirit që funksionon kohës së trajtimit, megjithatë në portale vazhdon me qenë problem zbulimi i të dhënave, zbulimi i emrave. Duke e ditur që parimi bazë është prezumimi i pafajësisë, kjo vlen edhe për të rriturit, megjithatë kur subjekt janë fëmijët edhe kodi i drejtësisë për të mitur e specifikon që këto raste janë të mbyllura edhe nuk lejohen me u zbulu të dhëna. Është inkurajuese që së fundmi edhe Agjencia për Informim edhe Privatësi ka ndërmarrë masa që në rastet kur media të ndryshme kanë zbulu të dhëna identifikuese për fëmijët, i ka penalizu edhe i ka gjobit edhe shpresoj që gjobat e tilla të shërbejnë si një vetëdijësim për të gjitha mediat”, tha ai.

Të ngjashme