Mediet duhet të mbeten kujdestarë për të përcjellë rastet kritike të shoqërisë sonë dhe të organizojnë debate publike lidhur me rastet sociale në vend, u tha në takimin e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me UNDP-në, ku është folur për Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (Sustainable Development Goals), konkretisht në lidhje me raportimin e medieve për varfërinë.
Drejtori i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, Petrit Çollaku, tha se temat sociale mbulohen nga mediat, mirëpo nuk ka debate publike lidhur me varfërinë, raporton Ekonomia Online.
“Me i shiku lajmet në mbrëmje zakonisht ka lajme që mbulojnë tema sociale. Shprehja e këtyre familjeve që kërkojnë një mirëqenie më të mirë vazhdon të jetë ende si temë e diskutimit në shoqërinë tonë. Temat e varfërisë janë prezente, por jo shumëpërfshirëse. Prezantohet një familje që jeton në kushte të rënda, mirëpo nuk jepet debat në rrethin tonë e që mendoj që mediat duhet të kenë edhe këtë rol. Duhet të ketë debate publike për këtë temë. Politika është temë e parë në të gjitha mediumet”, tha ai.
Koordinatorja e Zhvillimit të OKB-së, Ulrika Richardson, tha se që nga viti 2000, ekonomia në Kosovë ka ndryshuar duke u përmirësuar edhe jeta e qytetarëve, raporton EO.
“Më herët rreth vitit 2000, bota është dukur mjaft pesimiste dhe është dashur kohë e gjatë që të bëhemi bashkë dhe të marrim veprime për të ndikuar në ndryshimin e gjendjes, sepse atëherë ka pasur varfëri ekstreme. Duhet të marrim 3 dimensione në konsideratë për përmirësimin e jetës, janë ekonomia, jeta sociale dhe ambienti. Veprimet në nivelin lokal janë të rëndësishme. Duhet të punojmë me komuna me shoqëri civile për të përmirësuar jetën. Mediet dhe gazetarët janë privilegj për shoqërinë krahas obligimeve dhe privilegjeve që kanë ”.
Budimir Nicic, gazetar serb, tha se roli i medieve është i rëndësishëm për të gjitha segmentet e shoqërisë, gjithashtu edhe për eliminimin e varfërisë.
“Mediat me pak buxhet nuk mund të luftojnë për një zhvillim ekonomik dhe të jem rojtarë të demokracisë apo të luftojmë një anomali që shkatërron shoqërinë. Pa media të forta nuk mund të kemi një shoqëri të fortë, dhe nëse ato nuk janë të forta, ndikimi do të jetë i vogël. Nëse mediat duhet të jenë të forta financiarisht. Në Serbi mediat janë larg kësaj, sepse ose financohen nga buxheti i Prishtinës ose Beogradit”.