Agolli: Amerikën e zgjodha për familjen, Shqipëria ishte mësim për Panuccin

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Ansi Agolli i dha fund karrierës me Qarabag pas 9 vitesh, ndërsa tashmë ka nisur një tjetër aventurë, e cila duket se do të jetë e fundit në futbollin e luajtur. Vetëm pak ditë më parë, ish-kapiteni kombëtares, firmosi me skuadrën e New York Cosmos në Ligën e Dytë në SHBA.

Në një intervistë për “Supersport”, Agolli ka folur gjatë, duke rrëfyer detaje nga aventura e re, ndërsa nuk ka lënë pa komentuar as kombëtaren e futbollit.

Ai ka folur për ish-trajnerin Panucci, duke u shprehur se eksperienca te Shqipëria do ti shërbejë në të ardhmen. Agolli ka komentuar dhe kampionatin shqiptar, teksa tregon se Tirana ka bërë mirë nën drejtimin e Ardi Memës, ndërsa Partizani e ka merituar vendin e parë në renditje.

Si po e ndjek këtë duelin në distancë mes Cityt dhe Liverpoolit? Si mendon se do të vijojë kjo garë?

Është një garë e nxehtë, që do të vijojë të jetë e tillë deri në fund të sezonit. Të dy skuadrat luajnë edhe në Champions League, ndaj llogaritë nuk janë të lehta dhe besoj që gara do të jetë e ashpër dhe e fortë deri në javën e fundit. Unë personalisht dëshiroj që të triumfojë Liverpooli.

Si ju duket mënyra e protestës së trajnerit të Cardiffit?

Ishte tipike e stilit anglez, ajo mënyrë protestuese. Nuk e di si do ishte në Azerbajxhan, por me siguri jo si kjo e sotmja.

Zgjodhe ekipin, apo vendin?

Ishte një vendim kompleks, pas gati 9 vitesh me skuadrën e Qarabagut. Ishte momenti për të marrë vendimet e duhura, jo vetëm për faktin se familja ime jeton prej disa vitesh në Amerikë, por edhe për të menduar për të ardhmen pasi të mbyll karrierën si futbollist. Ardhja këtu më ndihmon të vijoj të luaj futboll, të qëndroj me familjen time dhe njëkohësisht bashkë me ta, të përgatis të ardhmen time pas futbollit.

Kur patë Emre Belozoglu 38-vjeçar në fushë për Turqinë, a mendove se mund të ishe edhe ti në atë takim?

Po, e kam menduar, por për atë ndeshje, ata lojtarë ishin zgjedhur nga trajneri. Unë mendoj se lojtari që luajti atë natë në krahun e majtë, bëri mjaft mirë, ndaj unë dhe të gjithë duhet të mbështesim këdo që të luajë.

Ku ndryshon Amerika me Europën, në futboll?

Ka shumë ndryshime, duke nisur që nga mënyra se si funksionon Liga. Ko e fundit nuk ndahet në kategori, por bëjnë garë me njëra tjetrën. Liga kryesore është MLS-ja, ku janë edhe lojtarët më të paguar, më pas vijnë të tjerat, ku bën pjesë edhe skuadra ime. Ambienti është pak amerikan, në kuptimin e mirë të fjalës, pasi fillon dhe mbaron stërvitja duke qeshur. Ndryshe nga këtu, në Europë disiplina është shumë e rëndësishme dhe vështirë të gjesh kohën për ta marrë lehtë futbollin.

Keni objektiva për t’u ngjitur më lart, me klubin?

Patjetër. Klubi edhe më parë ka qenë në tratativa për të hyrë në ligën më të fortë, që është MLS-ja, por vitet e fundit ka pasur ca keqkuptime. Është një plan që skuadra të ngrihet akoma më shumë dhe t’i bashkohem MLS-së. Kjo skuadër është një nga ato me më shumë tradita, ndaj e meriton të jetë pjesë e ligës kryesore.

Dua një koment tuajin, sa i takon largimit të Panuccit. Do ishte më mirë që Duka të kishte ndërhyrë më përpara, për ta shkarkuar që pas Nations League, apo të priste edhe këtë ndeshje?

Çdo trajner kur merr një detyrë mendon si të paraqitet sa më mirë dhe të arrijë rezultate me skuadrën, por ndonjëherë duhen shumë faktorë për të bërë sukses. Duka i ka dhënë besim trajnerit, por rezultatet nuk ishin në favor të tij dhe puna e një trajneri matet pikërisht me rezultate. Mendoj se kjo eksperiencë do t’i japë ca mësime të mira edhe Panuccit, gjithmonë nëse do të vijojë të punojë si trajner.

Mendoni se ishin rezultatet vendimtare në shkarkimin e Panuccit?

Skuadra ka pasur profesionalizëm dhe disiplinë edhe më herët, me trajnerë të tjerë. Me De Biasin nuk kemi pasur asnjë problem disiplinor, ndryshe nga periudha e Panuccit, ndaj besoj se edhe kjo ka pasur ndikimin e vet.

Pasi të lini karrierën si futbollist, mendoni një të ardhme brenda këtij sporti?

Pa diskutim që po, pasi dua të mbetem brenda futbollit, qoftë në linjën e trajningut, qoftë në atë të menaxhimit. Megjithatë duhet të provoj dhe të testoj veten në disa drejtime, para se të marr një vendim final për të parë se çfarë do të bëj.

E uruat Salihin për detyrën e re?

Nuk e urova, por e ngushëllova, pasi la futbollin. Për detyrën e re, i uroj suksese dhe kam bindjen që ka marrë një vendim të menduar mirë e në kohën e duhur.

Çfarë efekti të dha, të shikojë Ervin Bulkun si trajner të Kombëtares?

Është një gjë shumë e mirë të shohësh një njeri, më shumë se shok do ta quaja unë, në drejtim të Kombëtares Shqiptare. Është një hap mjaft i mirë për të dhe kam bindjen që ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë edhe në të ardhmen, ashtu siç ia doli në ndeshjen e parë.

Ka ndonjë vend te Cosmosi, edhe për Hair Zeqirin?

Ngadalë do të shohim edhe për të. Unë jam në ditët e para, por në të ardhmen, ndoshta mund të krijohet ndonjë mundësi.

Ti je me zemër bardheblu, por titulli është i destinuar të shkojë për Partizanin këtë sezon…

Unë jam tifoz i Tiranës, pasi kam lindur, jam rritur dhe kam luajtur me atë skuadër, por kur flasim për anën profesionale, duhet të lëmë në anë tifozllëkun. E vërteta është se partizani ka treguar stabilitet gjatë gjithë vitit dhe pavarësisht rivalitetit me Teutën e Kukësin, e meriton plotësisht të jetë në vendin e parë dhe nëse vijon kështu, të festojë titullin kampion.

Si e shikoni situatën e Tiranës, në këto javë të fundit?

Me ardhjen e Ard Memës në stolin e Tiranës, e kam ndjekur skuadrën pak më shumë dhe mendoj se ka bërë mjaft gjëra pozitive. Tani shoh një skuadër më kompakte dhe me lojtarë që kanë dëshirë të luajnë futboll. Rezultatet sigurisht nuk kanë munguar, por mendoj se kjo skuadër ka mundësi të bëjë edhe më shumë, si në aspektin e lojës, ashtu edhe në atë të pikëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme