Ansi Agolli është përzgjedhur si lojtari i huaj i vitit në Azerbajxhan. Kapiteni i Kombëtares dha kontributin e tij në sukseset e Karabakut edhe sezonin e kaluar. Ekipi i tij mori pjesë në fazën e grupeve të Europa League dhe fitoi titullin kampion në Azerbajxhan.
Çmimin e tërhoqi një zyrtar i klubit në mungesë të Ansi Agollit. Ai ishte edhe i vetmi futbollist nga kampionati azer në finalet e Euro 2016.
Agolli falënderoi të gjithë për vlerësimin me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, duke thënë se te Karabaku nuk ndihet si i huaj, por si në shtëpi. Ansi Agolli i cili luan në Azerbajxhan prej vitit 2010 mori votat e gazetarëve.
Agolli është shpallur 3 herë kampion dhe ka fituar 2 kupa të Azerbajxhanit. 34-vjeçari ka zhvilluar më shumë se 250 ndeshje me Karabakun, ku është nën kontratë deri në fund të këtij sezoni.