Agon Maliqi: Serbia po fiton pikë në perëndim si “faktor stabiliteti”

Prishtinë | 20 Tet 2022 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si dinak që është dhe si lexues i mirë i interesave gjeopolitike, e kuptoi shpejt rrezikun që i vjen nga dobësimi i Rusisë.

Sipas tij, Vuçiq vazhdimisht i krijonte vetes penallti duke i provokuar ndërhyrjet e Kosovës dhe duke u tërhequr në fund për të fituar pikë në perëndim si “faktor stabiliteti”, njofton Klan Kosova.

“Mesazhet si ato të djeshmet mundem me ju ra kresë vetëm atyre që në mënyrë konsistente ushqejnë iluzione populiste dhe refuzojnë me i pa realitetet e ndryshuara gjeopolitike. Së fundmi edhe faktin se në kulmin e luftës më të madhe dhe më të paparashikueshme në Evropë prej dekadash, interesi kryesor i perëndimit ka qenë mbajtja e paqes në Ballkan dhe zmbrapsja e Rusisë”.

“Vuçiq si dinak që është dhe si lexues i mirë i interesave gjeopolitike, e kuptoi shpejt rrezikun që i vjen nga dobësimi i Rusisë. Prandaj edhe përkundër retorikës dhe qëndrimit neutral në raport me Rusinë, i kreu punë NATO-s duke i frenuar serbët në Bosnje prej aventurave dhe (spekulimet thonë) duke dërguar armë fshehurazi në Ukrainë. Paralelisht ia porositi Francës 12 avionë ushtarakë Rafael dhe i thelloi diskutimet me SHBA për heqjen e varësisë nga energjia ruse. Ia dha perëndimit edhe disa fitore simbolike si votat kundër Rusisë në OKB. Krejt kjo me synimin për të fituar mirëkuptim dhe për t’i zbutur presionet perëndimore për Kosovën dhe për sanksionet ndaj Rusisë”.

Ai ka shtuar se Kosova në anën tjetër në rrethana të një lufte evropiane, në kurriz të sigurisë së garantuar nga NATO, u ndërsye për të imponuar marrëveshje teknike për dokumente të identifikimit dhe për t’i ndaluar zgjedhjet serbe.

“Mos të flasim për refuzimet e mëhershme për bashkëpunim rreth projekteve strategjike si gazsjellësi apo për refuzimet për të zbatuar vendime të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë gjithë kohës me njëfarë qasje thuajse bota na ka diçka borxh dhe me pritjen se është bota ajo që duhet të këndellet dhe të kthehet në rrugë të drejtë”.

“Askush nuk donte ta dëgjonte argumentin se kostot e kësaj strategjie ‘sovraniste’ do të paguhen në tema më të rëndësishme. Vuçiq në këto raste vazhdimisht i krijonte vetes penallti duke i provokuar ndërhyrjet tona dhe duke u tërhequr në fund për të fituar pikë në perëndim si ‘faktor stabiliteti’. Tash po habiteni pse dikush nuk ia imponon njohjen?”.

Të ngjashme