Grave të dhunuara dhe torturuara gjatë luftës në Kosovë, pas vite të tëra vuajtje në heshtje, po u ofrohet një skemë dëmshpërblimi – por stigma e të qenit e dhunuar mund t’i shtyjë shumë nga to të mos aplikojnë fare.
Fata ndrydh gishtat pa pushim sikur para një sikleti të madh. Në korridor dëgjohen hapa dhe ndalet, në pritje që jashtë të bie qetësia.
Janë bërë 18 vjet që kur në një ditë maji me shi në vitin 1999 ajo u nda nga një kolonë refugjatësh, u dhunua dhe u torturua nga pjesëtarë të njësive ushtarake serbe në një shtëpi private në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicë. Aty humbi syrin e djathtë. Ishte vetëm 16 vjeç.
“Mbaj mend që na kanë mbajtur tri ditë. Ishim 15 veta në një dhomë. Kur jam këndellur e kam parë që syrin e djathtë e kam të lidhur dhe nuk mundesha me lëvizë”, kujton ajo.
Që nga ajo ditë, Fata, që është emri i shkurtër i saj pasi kështu ka preferuar të citohet për BIRN, vazhdimisht ka qenë e përfolur, nënçmuar dhe e stigmatizuar nga komuniteti përreth.
“Halla më tha që nuk duhet të tregoj çka ka ndodhur se më mirë është të mbytesh”, thotë ajo.
Si ajo, mijëra të tjera ishin viktima të dhunës seksuale të përdorur nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, e cila me ndihmën e NATO-s i dha fund regjimit të Serbisë.
Fata tregon se vendi ku u mbajt ishte bërë qendër e dhunimit dhe vrasjeve nga forcat serbe.
”Ditën e parë mbaj mend që dhunimi vazhdoi pa ndërprerë. Ata ndërroheshin ndërsa ne na e fshinin gjakun”, tregon ajo.
Përkundër përjetimeve të llahtarshme, ajo druan të aplikojë për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, në një skemë reparacionesh për të dhunuarat në luftë që qeveria e Kosovës pret ta aplikojë prej këtij viti.
“Familja ime nuk dëshiron të më figurojë emri askund. Tash janë familje e madhe. Kanë martuar djemtë e vajzat dhe kanë bërë shumë lidhje familjare. Nuk duan që dikush ta përmend këtë”, thotë ajo.
Një tubë flokësh të zezë i mban mbi syrin e djathtë, shprehi e të mbajturit gjatë duke mbuluar gropëzën e syrit të humbur. Ajo vetëm tri vite më parë, me ndihmën e një shoqate, mundi ta bëjë një protezë syri.
Vuajtja në heshtje
Pas vitesh heshtje e stigmatizimi, Parlamenti i Kosovës në vitin 2014 miratoi një ligj që u njeh këtyre grave statusin e viktimave dhe u jep atyre një pension mujor që nuk kalon përtej 220 eurove.
Në fund të muajit prill, qeveria themeloi Komisionin për Verifikim dhe Njohje të statusit të viktimës së dhunës duke kryer procedurat nënligjore që mundësojnë nisjen e procesit.
“Ligji u njeh statusin, por ato nuk kanë beneficionet e njëjta me viktimat tjera të luftës, ndonëse nevojat e tyre shpesh janë më të mëdha”, thotë për BIRN, Veprore Shehu nga organizata “Medica Kosova” në Gjakovë, e cila trajton viktimat e dhunimit.
Përfitimet kryesore që viktimat tjera të luftës marrin janë pensione familjare, shërbim shëndetësor falas, përparësi në punësim, si dhe lirim nga taksat gjyqësore, administrative e taksat publike, përfshirë tatimet pronësore dhe çmim më të lirë të energjisë elektrike.
Ligji parasheh që të mbijetuarat e dhunimit mund të aplikojnë për statusin me shkrim, pa pasur nevojë që ta dëshmojnë me prani fizike atë që kanë përjetuar. Të mbijetuarat nuk janë të obliguara, por mund të paraqesin dëshmi mjekësore ose policore si provë të dhunimit.
Organizata që drejton Shehu, bashkë me tri të tjera, është përzgjedhur nga qeveria për t’i mbledhur aplikacionet e viktimave, në mënyrë që të ruhet konfidencialiteti i viktimave, për të mos u përballur drejtpërdrejt me anëtarët e Komisionit.
Arban Abrashi, ministër në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila do ta implementojë skemën e reparacioneve, thotë se do të jetë një mbështetje modeste për këtë kategori të shoqërisë. “Por kjo nuk do ta ofrojë drejtësinë e munguar”, tha Abrashi për BIRN.
Nën frikën e stigmatizimit dhe përjashtimit, mijëra gra viktima të dhunës seksuale të luftës kanë vazhduar në heshtje të jetojnë me probleme të rënda shëndetësore.
Më tepër se vetë ajo, ishte familja e Fatës që kishte përjetuar dhunimin e vajzës si një turp të madh të familjes.
“Nuk munda ta vazhdoja shkollën. Mjekimi ishte i vështirë. Familja vuante sepse shumëkush përreth e dinte që isha dhunuar dhe kishin tentuar të ma nxjerrin syrin”, rrëfen ajo.
Kostoja psikologjike ishte edhe më e rëndë. Fata thotë se vuan nga depresioni, migrena dhe ka dhimbje të përditshme koke.
Perceptimet negative të shoqërisë dhe vështirësitë për të marrë trajtim mjekësor në një vend të varfër si Kosova kanë bërë që shumë viktima të kryejnë vetëvrasje.
“Një numër i tyre ka vdekur si pasojë e dhunës në familje, të kryer kundër viktimave, në emër të nderit”, thotë Siobhan Hobbs, e cila në vitin 2016 drejtoi një ekip të OKB-së që publikoi një raport rreth gjendjes së vështirë të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë.
Kjo ndodhi për arsye se, në shumë familje sikur ajo e Fatës, dhunimi shihet si njollë në nderin familjar.
“Vendosa të martohem jo pse doja, por për t’iu larguar familjes si barrë. U bë më keq. Familja e burrit kishin dëgjuar që isha e dhunuar dhe isha pa një sy. Na përzunë nga shtëpia”, rrëfen ajo.
Prej atëherë, së bashku me burrin dhe dy fëmijët, ajo jeton nëpër strehimore kolektive apo shtëpi të braktisura në betejë me një varfëri të thellë.
Disa të mbijetuara të dhunimit jo vetëm u përjashtuan nga të afërmit, por u braktisën edhe nga burrat e tyre.
Të margjinalizuara dhe paragjykuara, ato shpesh kanë mbajtur peshën e fajit për çfarë u kishte ndodhur.
Një grua tjetër ka treguar për BIRN se ajo dhe motra e saj u dhunuan në një shtëpi në Deçan.
“Kur burri i saj e mori vesh se çka kishte ndodhur, ai e braktisi motrën time me dy fëmijë dhe u martua me një tjetër”, tha ajo.
Frika nga dhuna dhe dëbimi ka bërë që shumë gra të hezitojnë të kërkojnë ndihmë, sidomos në shërbime shëndetësore, punësim dhe trajnime.
Kjo vazhdon të jetë arsyeja pse disa gra, si Fata, hezitojnë të aplikojë për t’iu njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale në luftë.
Shumë nga ato kanë frikën se si do ta arsyetojnë para familjeve të tyre pagën që do ta marrin.
“Në fillim do të ketë shumë pak viktima që aplikojnë”, thotë për BIRN, Feride Rushti, udhëheqëse e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me seli në Prishtinë.
Ajo thotë gjithashtu se ligji është diskriminues.
Ligji aktual parasheh statusin për viktimat e dhunës në periudhën mes 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, koha kur forcat serbe u larguan nga Kosova pas fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s.
Por, disa shoqata serbe për mbrojtjen e viktimave thonë se ky afat nënkupton që të mbijetuarat serbe të cilat gjithashtu përjetuan dhunë seksuale pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, nuk do të kenë të drejtë për të aplikuar.
“Dhunimet nuk janë bërë vetëm nga serbët dhe jo vetëm gjatë luftës,” thotë Rushiti. “Ka pasur viktima nga të gjitha palët”.
Blagica Radovanoviq, kryetare e OJQ-së “Shën Mëria”, e cila merret me viktimat e dhunës familjarë në qytetin verior të Zveçanit, thotë se komuniteti serb në Kosovë nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e ligjit dhe nuk ka dijeni për përmbajtjen e tij.
“Ne rekomandojmë që të hulumtohet numri aktual i viktimave të dhunës seksuale, i cili do t’i përfshinte të gjitha komunitetet e prekura nga lufta. Nuk ka informacione rreth dhunës seksuale gjatë sulmeve hakmarrëse (të shqiptarëve)”, thotë Radovanoviq.
Veprore Shehu thotë se organizata e saj ka ofruar përkujdesje për tri gra rome që kanë përjetuar dhunimin.
Hobbs gjithashtu thotë se korniza ligjore e vitit 2014 duhet të amendamendohet.
“Ligji duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Afati kohor duhet të ndryshohet sepse ai nuk i mbulon viktimat e dhunës seksuale të kryera pas konfliktit. Por themelimi i Komisionit duhet të vazhdojë, dhe çdo amendamentim i ligjit mund të bëhet paralelisht ose më pas”, tha Hobbs në një intervistë përmes Skype.
Fëmijët e braktisur
Në një raport të vitit 2000, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch tha: “Dhunimi është përdorur si taktikë lufte për t’i poshtëruar, frikësuar dhe zhvendosur me forcë civilët e një komuniteti të veçantë etnik dhe si mjet për ta ndryshuar demografinë e një territori”.
Por, derisa lufta e Kosovës po zbehet në histori, dhunimi megjithatë mbetet një realitet i përhershëm për mijëra gra që e kanë përjetuar atë.
Një grua e cila lindi një fëmijë si rezultat i dhunimit gjatë luftës ka rrëfyer se njësitet paramilitare e mbajtën atë për dy ditë në një shtëpi private të një fshati të Pejës.
“Kam qenë shumë keq. Madje nuk e dija që kisha mbetur shtatzënë. Kur mjeku më tregoi për shtatzëninë, desha të mbys veten. Isha 17 vjeçe. Ata më thanë se isha në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe ishte vonë për abort”, tha ajo.
Në një bisedë të shkurtër e të vështirë në një nga qendrat që ofrojnë mbështetje për viktimat e dhunës, ajo ka rrëfyer për lindjen e fëmijës.
“Mjekët dhe një psikologe mundësuan që urologu ta bëjë një diagnozë që tregonte se barku fryhej ngase veshka nuk po punon”, rrëfen ajo.
Një OJQ gjermane ia pagoi qiranë e një banese ku ajo mundi të fshihej nga familja derisa kreu lindjen. Ajo tregoi se djali që lindi ishte një foshnje e shëndetshme. “Nuk qante fare”.
Por, ajo e ushqeu vetëm një herë me gji foshnjën e saj dhe më pas e braktisi. “Nuk e di ku është tani. As që dua të di”, është përgjigjur shkurt ajo, duke refuzuar të japë detaje tjera.
Përderisa gruaja zeshkane, shtatgjatë, thotë se jeta e saj tani është më e mirë, ajo ka hezituar të tregojë më shumë për veten, të tashmen e saj, apo qoftë edhe nëse e ka çuar në mend të aplikojë për statusin e viktimës.
Por me apo pa atë status, ajo gjithmonë do të ndihet e ndjekur nga fantazma e të qenit nënë e një fëmije të braktisur.
Numri i fëmijëve të lindur nga gratë e dhunuara gjatë luftës nuk do të dihet kurrë. Deri më tani, organizatat që ndihmojnë të mbijetuarat e dhunimeve kanë pranuar të dhëna vetëm për katër ose pesë prej tyre.
Informatat janë marrë kryesisht nga gratë dhe qendrat mjekësore në Shqipëri e Maqedoni, ku refugjatët kërkuan mbështetje.
“12 nga 120 gratë që janë trajtuar në qendrën tonë kanë kryer aborte në Kukës, që të gjitha nga shtatzënitë që erdhën si pasojë e dhunimit. Vetëm një grua kreu lindje, dhe ajo e braktisi foshnjën”, ka thënë Veprore Shehu nga Medica Kosova.
As spitalet dhe as strehimoret për fëmijë të braktisur në Kosovë nuk kanë të dhëna për fëmijët e lindur si pasojë e dhunimit apo për fëmijët e braktisur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Skema aktuale e reparacioneve nuk ofron qasje në përkujdesje shëndetësore, arsim apo shërbime tjera për fëmijët e të mbijetuarave që në mënyrë indirekte kanë qenë të prekur nga dhuna.
“Duhet të gjendet një mënyrë për t’u siguruar që fëmijët që janë lindur si rezultat i dhunimit të jenë të përfshirë në masat e reparacioneve, pa u veçuar si fëmijë të lindur nga dhunimi”, thotë Hobbs.
Shifrat e diskutueshme
Atifete Jahjaga, gjatë kohës sa ishte Presidente e Kosovës në vitet 2011- 2016, ishte liderja e parë politike në Kosovë që avokoi për ta krijuar legjislacionin që u del në ndihmë të mbijetuarave dhe filloi ta sfidojë stigmën që i rrethon ato.
“Gjatë mandatit tim, jam munduar të mos lë gur pa lëvizur për t’ua bërë të mundur atyre që t’i marrin reparacionet. Rreth 20,000 viktima ende nuk kanë liri në trupat dhe shpirtrat e tyre”, tha Jahjaga për BIRN.
Ajo themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës dhe një nga iniciativat që promovoi ishte një strategji për qasje në drejtësi.
Shifra prej 20,000 të mbijetuarave të dhunimeve që ajo përmend vjen nga burime të ndryshme. Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjendjen e sektorit shëndetësor në Kosovë i publikuar në vitin 2000 thotë: “Organizatat vendore vlerësojnë se janë nga 10,000 deri në 20,000 gra të dhunuara në periudhën mes shkurtit 1998 dhe qershorit 1999”.
Një OJQ vendore, Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijëve, gjithashtu vlerëson se së paku 20,000 gra dhe vajza janë dhunuar. Megjithatë, kjo shifër nuk është verifikuar asnjëherë dhe numri mbetet çështje e kontestueshme.
Jahjaga insiston që shifra është e bazuar në hulumtimet e bëra nga ekspertë dhe organizatat të specializuara. “Unë besoj fuqishëm që kjo shifër është reale”, tha ajo.
Por, Hobbs e cila ka qenë e përfshirë në një raport të OKB-së për dhunën seksuale në kohën e luftës në Kosovë, vë pikëpyetje rreth kësaj shifre.
“Shifra e supozuar prej 20,000 është e bazuar në një formulë të aplikuar gabimisht, por kjo është bërë në mirëbesim me të dhënat e kufizuara që kanë qenë në dispozicion. Nuk është që kjo shifër me qëllim është dhënë gabimisht. Por është fakt që askush këtë nuk e di sigurt”, tha ajo.
Ajo çka dihet është se gratë ishin dhunuar në shtëpi, në kampe ushtarake dhe stacione policore. Përveç se ishin dhunuar, disa edhe ishin rrahur, u ishin nxjerrë organet gjenitale, ishin prerë me thikë, djegur me cigare, madje edhe vrarë.
S’ka dënime
Si shumë të tjera që nuk ishin asnjëherë në gjendje të flasin se çka u kishte ndodhur, Fata ka vuajtur në heshtje dhe deri më tani nuk ka parë drejtësi .
Vetëm pak nga këto gra dëshmuan në rastet e proceset gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.
Deri në shtator 2016, Tribunali i Hagës ka shpallur fajtorë katër persona të akuzuar, mes tjerash, edhe për dhunime gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Ata ishin Vlastimir Gjorgjeviq, ish zëvendës ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nikola Shainoviq, ish zëvendës kryeministër i Serbisë, Nebojsha Pavkoviq, ish gjeneral i armatës jugosllave dhe Sreten Lukiq, ish gjeneral i policisë serbe.
Sipas Tribunalit të Hagës Shainoviq dhe Lukiq “janë gjetur fajtorë për krime të dhunës seksuale përmes pjesëmarrjes në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, por asnjë dënim nuk është dhënë për këto akuza”.
Në 18 vitet e kaluara, gjykatat në Kosovë nuk kanë dënuar asnjë person për dhunimet e kryera gjatë kohës së luftës.
Sanije Salihu e kujton një natë gushti të vitit 1998, kur vajza e saj 20 vjeçare nuk u kthye në shtëpi. Ajo ishte marrë nga një veturë policie në qendër të qytetit në Gjakovë, në një kohë kur në shumë pjesë të Kosovës po zhvilloheshin luftime.
Vjollca Salihu ishte mbajtur në një lokacion duke u dhunuar nga policët serbë dhe nga torturat kishte pësuar dëmtim të palcës kurrizore.
“Kishte shkuar ta mbyllë lokalin. Ishte ora 8 e mbrëmjes. Nuk u kthye. E kërkuam gjithkah. Shkuam ta pyesim policinë dhe ata na thanë se nuk dinë gjë për të”, tha Sanije Salihu.
Dy muaj më vonë, një telefonatë nga spitali në Beograd zbuloi vendndodhjen e vajzës së saj.
“Mjekët më treguan që e kishin sjellë nga spitali i Prishtinës dhe që ishte e torturuar. Më thanë që nuk do të jetojë gjatë”, kujton ajo.
“E pashë që e kishte djegur tërë trupin me cigare. Organet gjenitale i kishte të prera dhe plotë djegie. Mjekët më treguan edhe atë që nuk e kisha vërejtur që thonjtë i kishte të shkulur ”, thotë ajo.
Një gjë që ajo nuk e di është se si vajza e saj ishe dërguar në spitalin e Gjakovës. Izet Hima, mjeku i cili e referoi Vjollcën për në spitalin e Prishtinës, u vra pak ditë më pas.
Derisa shfleton raportet mjekësore, fotografi dhe dokumente të vajzës Sanija vë gishtin te data e lindjes. Të nesërmen e 28 prillit, Vjollca do t’i mbushte 38 vjet.
“E dinte vetëm emrin e një polici. Tregonte se ishte mbajtur e lidhur duke e dhunuar dhe rrahur. I vëreheshin vijat e litarit në këmbë. Kishte tentuar të bëjë vetëvrasje në tualet. Mbante mend që ja kanë përdredhur qafën dhe asgjë tjetër”, thotë Sanija një pasdite me shi në Gjakovë.
Tri vite më pas Vjollca kishte vdekur në shtëpinë e saj në Gjakovë. Prej atëherë, nëna e saj po kërkon drejtësi. Ligji nuk përfshin reparacione për familjet e viktimave të vdekura të dhunimit.
Programi i reparacionit i Kosovës është i bazuar në kornizat e përgjithshme të themeluara nga disa vende tjera dhe përvojat e tyre, përfshirë edhe Bosnjën e Hercegovinën.
Për dallim nga Bosnja, procesi i verifikimit dhe njohjes së viktimave të dhunimit në luftë nuk përfshin që paralelisht dëshmitë e të dhunuarave të përdoren nga prokuroria.
Besim Kajtazi shefi Departamentit Ligjor të Zyrës së Presidentit të Kosovës i cili ka udhëhequr ekipin e hartimit të kornizës ligjore për reparacionet thotë se kjo do të ishte e mundimshme për viktimat.
OJQ-të të cilat do t’i mbledhin dëshmitë dhe deputetët shpjeguan se Kosova ishte e pirur të mos e ndiqte shembullin e Bosnjës ku dëshmitë menjëherë dërgoheshin në polici dhe prokurori, sepse kjo mënyrë shihej si traumë shtesë për të mbijetuarat dhe pengesë për disa që frikësohen të dalin publikisht, të dëshmojnë dhe të identifikohen si të dhunuara.
“Megjithatë kjo nuk pengon kurrsesi prokurorinë që të hetojë rastet”, thotë Kajtazi për BIRN.
Bakira Haseçiq, drejtuese e Asociacionit të Grave Viktima të Luftës dhe një viktimë e dhunës seksuale nga Vishegradi i Bosnjës, thotë se nuk mund të ketë kurrë rikuperim total të të dhunuarave pa dënimin e kryesve të këtyre akteve.
Inger Skjelsbaek, profesoreshë e Psikologjisë Universitetin e Oslos dhe studiuese e çështjeve të paqes, e specializuar në dhunën seksuale në konflikte thotë se reparacionet duhet të aplikohen në atë mënyrë që të jenë të lidhura ngushtë me iniciativa të tjera për drejtësi.
“Gjithkund ku dhuna seksuale është përdorur në luftë mbizotëron një kulturë e lartë e mosndëshkimit e cila megjithatë viteve të fundit ka filluar të ndryshojë”, thotë Skjelsbaek për BIRN.
Por,derisa drejtësia mbetet e largët dhe hakmarrja e pamundur, për shumë të mbijetuara dhe familje të tyre, urrejtja mbetet e freskët.
“Do të doja t’ua shkyçej barkun me thikë. Ndryshe nuk ngihem” , thotë Sanije Salihu.