Aktori kosovar Agron Shala, del të jetë fitues në një prej festivaleve të njohura. siç është Cineuphoria Film Awards.
Në këtë festival ai është zgjedhur aktori më i mirë në film të shkurtër për rolin e tij në filmin ‘Forgive Me’ të regjisorit Besim Ugzmajli.
Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Ugzmajli, teksa ka uruar aktorin për këtë çmim dhe ka treguar rëndësinë e këtij çmimi.
“Aktori më i mirë në film të shkurtër Cineuphoria Film Awards për Agron Shala, shumë urime!!! Për të kuptuar rëndësinë e këtij çmimi, duhet të përmendim faktin se në kategorinë për aktori më të mirë në film të gjatë ka fituar aktori Rami Malek nga Bohemian Rhapsody.
Ndërsa filmi Forgive me ka qenë i nominuar për regjinë dhe filmin më të mirë të shkurtër, ndërsa në kategorinë e filmit të gjatë ka fituar Alfonso Cuarón me filmin Roma”, ka shkruar Ugzmajli.
Ndryshe filmi “Forgive Me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë.
Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar në vitin 2018 me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala, ndërsa aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.
Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Bujari e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta./ KultPlus.