Sergio Aguero thotë se ai nuk i kupton kritikat që i bëhen Lionel Messit për Kombëtaren e Argjentinës, duke insistuar se ai është i pari që vuan dhe se vazhdon të jetë pjesë e ekipit kombëtar përkundër që karriera e tij atje shihet me shumë negativitet.
Lionel Messi ka fituar çdo titull në botën e futbollit të klubeve. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen edhe për karrierën e tij me ekipin kombëtar të Argjentinës, me të cilët ka dështuar ta fitojë ndonjë garë të madhe deri më tani. Skuadra e Argjentinës pësoi disfatë në Kupën e Botës 2018, ku u eliminuan nga Franca në fazën eliminatore.
Pesë-herë fituesi i Topit të Artë u kthye në ekipin e Argjentinës pas një pushimi të gjatë që e kishte marrë pas Kupës së Botës. Messi nuk arriti ta fitojë ndeshjen kundër Venezuelës, në të cilën u lëndua dhe u kthye në Barcelonë, në pamundësi për të luajtur kundër Marokut, pastaj dështoi t’ia sjellë vendit të tij Kupën e Amerikës.
Ndërkohë, Messi është duke e shijuar një tjetër sezon të mirë në Barcelonë, përkundër që ishte përballur me shumë lëndime në fillim të këtij sezoni, përderisa pak para se të pezullohej sezoni arriti ta marrë kreun e La Ligës.
Fakti që nuk ka arritur të fitojë trofe të mëdha me ekipin kombëtar bën që Messi të marrë shumë kritika nga bashkëkombësit e tij, mirëpo Aguero nuk beson se këto kritika janë të drejta.
“Nuk i kuptoj ata që e kritikojnë atë për punën me ekipin kombëtar. Ai është i pari që vuan dhe vazhdon të vijë”, tha Aguero, në një intervistë të dhënë për TYC Sports. /ge