Sulmuesi shqiptar Valon Ahmedi është shpallur kampion në Slloveni me skuadrën e Mariborit.
Ish-lojtari i kombëtares U-19 të Shqipërisë ka dhënë asistin e golit të dytë në barazimin 2-2 që ekipi i tij mori në shtëpi ndaj Goricës.
Ai u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë dhe kjo ishte ndeshja e tij e parë në këtë sezon me Mariborin.
Ahmedi ka qenë i grumbulluar edhe në dy ndeshje me kombëtaren U-21 të Shqipërisë gjatë kualifikuesve të kaluara kur ekipi drejtohej nga Redi Jupi, por nuk është aktivizuar për asnjë minutë.
Në sezonin e ardhshëm pritet që Ahmedi të ketë më shumë hapësira te kampionët e Sllovenisë, të cilët do të luajnë edhe në kualifikueset e Ligës së Kampioneve.