Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Baleti Kombëtar i Kosovës, kanë mbajtur Akademinë Përkujtimore në shënim të dyvjetorit të ndarjes nga jeta të ish-balerinit dhe drejtorit të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj.
Drejtor i Baletit, Sinan Kajtazi, ka folur për kontributin jetësor të Ahmet Brahimajt në fushën e baletit, por edhe të mësimdhënies, raporton “Ekonomia Online”.
“Që prej dy vitesh është kthyer në një datë ku kaplohemi nga dhimbja e profesorit tonë. Na kaplon ndjenja e krenarisë që ka shfaqur mirësi. Në emër të baletit ju shpreh mirënjohje të thellë që na dhuruat personalitet si zotëri Ahmet. Ne jemi të bekuar që mësuam nga virtytet e tij. E sidomos për ne nxënësit e tij. Profesori Ahmet dha kontributin e vet. Më ardhjen e lirisë në Kosovë profesori arriti ta hapte baletin. Këshillat e tij kanë qenë të domosdoshme për arritjen e rezultateve për ne si balerin”.“Vizioni dhe qëllimi i tij ishte i kthjellët në mendjen e tij.
Profesori Ahmet ka qenë karakter i fortë. Në aspektin familjar ka përjetuar tragjedi, në aspektin profesional ka marrë goditje të shumta. Në rrugën drejt rikthimit të baletit arrit të jetë i pamposhtur. Ne jemi ushtarë të vizionit të tij. Qirinjtë që ndezi ai në rrugën tonë të dijes qëndrojnë ende. Ne si gjeneratë e re duhet që me krenari t’i ruajmë vlerat që nguliti tek secili prej nesh”.
Kurse, balerini Rrustem Bajrami, ka thënë se profesorin Brahimaj do ta kujtoj më mall çdoherë dhe se ka për të folur për të ter jetën. “Jemi në këtë akademi përkujtimore për ta përkujtuar shëmbëlltyrën e Ahmet Brahimajt. Jam i emocionuar dhe këto fjalë burojnë nga zemra ime. Tërë këto vite i’a kemi filluar bashkë me lloj-lloj sfida. Kam tërë jetën për të folur për të. Nuk kam çka me shtu, por i’u falënderoj nga zemra që keni ardhur dhe do ta përkujtojmë me mall deri sa të jemi gjallë.
Zogëza Brahimaj, gruaja e tij, ka thënë se Ahmeti ishte i respektueshëm për këdo që e ka njohur dhe se do ta kujtojnë çdoherë më mall. “Tashmë dy vjet që Ahmeti na la dhembje të madhe, por edhe krenari të madhe. Ndjehemi krenar që patëm një njeri që ishte i mirë me çdo kënd. Që dinte të respektonte çdo person që takohej. Me të gjithë ai linte përshtypje që mund të ndihmonte çdo kënd. Të flas për mungesën e tij është shumë gjatë. Ai që më forcon është se Ahmeti kishte duar të çelikta që mbante familjen, miqtë dhe baletin e Kosovës”, u shpreh ajo.