Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se rruga e integrimit në BE është proces i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka thënë se shërbyesit civilë dhe administrata publike në përgjithësi, janë boshti kurrizor i të gjithë procesit të integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.
“Për neve çështja e shërbyesve civil dhe administrata publike është boshti kurrizor i të gjithë procesit të integrimit evropian. Deri tash Kosova ka pasur mundësinë që mbi 3 mijë shërbyes civilë të kalojnë deri në 15 module të ndryshme në mënyrë që shteti të jetë sa më i gatshëm që të integrohet në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo.
Libor Chlad, nga zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se integrimi për përafrimin në Bashkimin Evropian kërkon që shtetet e Ballkanit Perëndimor të profesionalizojnë administratat e tyre publik, dhe të cilat funksionojnë me efikasitet, të lira nga presioni politik dhe korrupsioni Sipas tij këto janë arsyet e rritjes së transparencës e tyre duke qenë të arritshme për shoqërinë civile.
“Administratat publike në Ballkan kanë ngjashmëri në strukturën dhe dobësitë e tyre, po ashtu duke u ballafaquar edhe me sfida të njëjta. Objektivat mbesin të njëjta, të gjithë kanë për qëllim të forcojnë qeverisjen publike, të luftojnë korrupsionin, të fuqizojnë sundimin e ligjit dhe institucioneve të cilat mund të ofrojnë një ambient legal të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të detyrueshëm, për të rritur kapacitetin e administrimit publik dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes”, ka thënë ai.
Drejtore regjional i British Council, Andy Williams tha se ky projekt ka qenë shumë i rëndësishëm për shërbimet e profesionit civil.
“Ndërtimi i një shërbimi profesional civil e kombinon me bashkëpunim regjional dhe shkëmben eksperienca atëherë mund të bësh shumë gjëra të mira të ndodhi”, ka thënë Williams.
Konferenca do të vazhdojë edhe nesër me prezantimet që do t’i bëjnë panele të ndryshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Këto komente ministrja Ahmetaj i bëri në konferencën rajonale “Skema e BE-së për profesionistët e rinj në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.