Ahmeti akuzon Qeverinë për ndërprerjen e projekteve në Komunën e Lipjanit

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 09:32 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti po akuzon Qeverinë për ndërprerjen e projekteve në këtë komunë. Ahmeti thotë se për shumë projekt buxheti ka qenë i ndarë, por që ato janë ndërprerë.

Sipas tij, edhe për kundër deklarimeve të kryeministrit Ramush Haradinaj se projektet në komuna po zhvillohen me shumë dinamikë, kjo nuk po ndodh edhe në komunë që ky udhëheq, raporton Ekonomia Online.

I pari i Lipjanit që vjen nga LDK-ja, thotë subjekti politik që i përkasin ministritë e tanishme mund të jenë ndër arsyet që komuna e Lipjanit është lënë anash dhe asnjë projekt nuk është duke u zbatuar dhe implementuar nga Qeveria.

Ahmeti ka një shkresë nga Ministri i Infrastrukturës që këto projekte nuk do të zhvillohen me arsyetimin se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare.

“Unë po dëgjoj prej kryeministrit që është shumë dinamik, por në Lipjan nuk ka kurrfarë dinamike. Praktikisht të gjitha projektet që janë të Qeverisë janë ndërprerë dhe nuk po zhvillohen, është rreth-rrotullimi tek udhëkryqi i Banullës që është shumë i domosdoshëm dhe është kontratë e lidhur dhe tani nuk po mund të zhvillohet”.

“…e kemi rrugën Magure-Lipjan një rrugë e filluar vitin e kaluar tani është një mënyrë e tmerrshme ku po punohet nuk ka asnjë lloj përgjegjësie dhe qytetarët e akuzojnë komunën, por është rrugë që është nën përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës”, tha Ahmeti.

Po ashtu, Ahmeti tha ministritë nuk po respektojnë memorandumet e më hershme të nënshkruara nga ministritë e qeverisjes së kaluar.

“Në stadiumin e Lipjanit kemi pasur një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar me ministrin e më hershëm të Ministrisë së Sportit dhe tani nuk zhvillohet ai projekt vetë ministritë nuk po respektojnë memorandumet e më hershme të ministrive përkatëse dhe nuk i zhvillojnë projektet në terren”.

“…më e keqja është se janë të buxhetuara në buxhet dhe ky buxhet është në fuqi, por që projektet në terren nuk po zhvillohen, prandaj në Lipjan nuk ka kurrfarë dinamike prej Qeverisë”.

Sipas Ahmetit, investimet të cilat janë ndërprerë në këtë komunë po shkojnë në komunat e tjera, raporton EO.

“Janë një varg projektesh të buxhetuara në buxhetin e shtetit dhe të aprovuara në parlament, por të cilat nuk zhvillohen. Investimet shkojnë dikah tjetër në dy komuna tjera dhe Lipjanin e ka lënë në një gjendje që e ka filluar dhe ka mbetur i tillë”, tha Ahmeti.

Të ngjashme