Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se Haradinaj i ka bërë dëmin më të madh PDK-së. Ai në T7 ka sqaruar se cilat parti do ta çojnë PDK-në në opozitë dhe rolin e Haradinajt në këtë mision.
“Ne kemi hy në koalicion me një parti të madhe dhe pak a shumë është rasti si i Nismës në zgjedhjet e kaluar. Kur ka dalë Nisma prej PDK-së, në sondazhe Nisma ka qenë 1.2%, pastaj ka hy në koalicion me PAN’in, nuk është zhdukë dhe sot nuk bëhet fjalë për mos-kalimin e pragut”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka sqaruar synimin e koalicionit AAK-PSD.
“Synimi i jonë është që PDK-ja të kalojë në opozitë”, ka sqaruar kreu i PSD-së.
“Unë e kam pa LDK-në në pushtet dhe e kam pa sa mundet me e luftuar PDK-në, mund të themi se ka ekspertë. Unë mendoj që dëmin më të madh që ia ka bërë dikush PDK-së është Ramush Haradinaj”, ka thënë kreu i Prishtinës.
Ahmeti edhe një herë i bëri thirrje LDK-së dhe Vetëvendosjes të kontribuojnë në rrëzimin e PDK-së.
“Unë mendoj që PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, LDK-ja duhet të kontribuojë, madje edhe Vetëvendosje”, ka thënë Ahmeti.