Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe një delegacion ministrash të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u pritën në takim nga kryeministri, Albin Kurti, në orët e vona të së shtunës.
Në këtë takim bëhet e ditur se u diskutua për situatën me pandeminë, gjendjen nëpër institucionet shëndetësore dhe mundësinë e lehtësimit të masave.
“Si tjetër pikë diskutimi gjatë këtij takimi ishin dhe rruga Tetovë – Prizren, autostrada Prishtinë – Shkup, menaxhimi i përbashkët kufitar, qendra e përbashkët turistike në Kodër të Diellit dhe Brezovicë, situata politike në rajon, dialogu midis Shkupit dhe Sofjes, Beogradit dhe Prishtinës dhe te tjera. Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për lidhjen e dy autostradave tona Prishtinë – Bllacë – Shkup, projekt ky me shumë prioritet për të dy palët e që pritet të përfundojë së shpejti.” thuhet në një njofti për media të BDI-së.
Ahmeti dhe Kurti gjithashtu dakorduan për hapat intensiv rreth menaxhimit të përbashkët të kufijve dhe prezantimit të kapaciteteve turistike midis Kodrës së Diellit dhe Brezovicës.
“Pjesë e bisedës mes Ahmetit dhe Kurtit ka qenë dhe dialogu Kosovë – Serbi, proces ky që duhet të përmbyllet sa më shpejtë me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe prosperitetit të vendit dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët, pasi që sipas të dy bashkëbiseduesve i gjithë Ballkani Perëndimor vendin e ka në familjen e madhe europiane, në paqe të qëndrueshme, siguri, stabilitet.
Derisa pjesë e delegacionit nga Maqedonia e Veriut ishin edhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministrat Besimi, Osmani, Shaqiri, Bekteshi, Nuredini dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Ejup Rustemi.
Ndërsa ata u pritën edhe nga ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe shefi i stafit, Luan Dalipi.