Bardh Ahmeti njohës i çështjeve ekonomike, në një intervistë për Ekonomia Online e ka mirëpritur Pakon Emergjente Fiskale, por thotë se duke i parë dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë së Kosovës nga pandemia e Coronavirusit këto nuk janë të mjaftueshme.
Ai ka thënë se kjo pako do të tregojë rezultatet e para në ruajtjen mirëqenies të qytetarëve.
Sipas tij kërkesa reale është që të sillet 5% e bruto produktit vendor që në shifër nënkupton 350 milionë euro si shtesë për qarkullimin e sektorit privat.
Ai ka thënë se në këtë pako duhet të përfshihen edhe mediet të cilat janë duke u përballur me rrezikun, por edhe punëtorët e pastrimit dhe të dezinfektimit.
“Sigurisht që duhet të futen edhe kategori të tjera,për shembull do t’i kisha shtuar edhe mediet pasi që edhe mediet janë duke u përballur me këtë pandemi dhe me rrezikun duke plasuar informacionin sa më saktë dhe të detajuar që të minimizohet paniku dhe shqetësimi te qytetarët. Pastaj, kemi pasur edhe punëtorët e pastrimit dhe të dezinfektimit, të cilët gjithashtu janë angazhuar”.
“Për sektorin privat dëmet ditore tashmë janë 10 milionë dhe kjo pako është 170 milionë dhe prandaj me një matematikë të thjeshtë, na le të kuptojmë që kjo nuk është e mjaftueshme mirëpo si pako emergjente besoj se do t’i mbuloj ato pikat. Kërkesa reale është të sillet diku rreth 5% e bruto produktit vendor, që në shifër nënkupton deri në 350 milionë euro dhe këto si shtesë për të qarkulluar mjete në sektorin privat”, tha Ahmeti.
Ahmeti më tutje ka theksuar se si pako fillestare është e mjaftueshme e cila do të mund ta minimizojë efektet dhe dëmet që po shkaktohen nga pandemia.
“Nëse analizohet pikë për pikë atëherë aty mund të ketë hapësirë edhe më shumë, mirëpo prapë po e theksoj si pako emergjente besoj që është shumë e mirëseardhur për ekonominë, që pak a shumë ta minimizojë efektet dhe dëmet që po shkaktohen”, shtoi ai.
Ahmeti ka thënë se sektori privat ka diku rreth 240 mijë të punësuar dhe prej tyre afërsisht 150 mijë janë të detyruar që mos të punojnë.
“Aktiviteti në këto biznese është zero dhe dëmet janë shumë të mëdha, prandaj kjo pako është e pa mjaftueshme mirëpo, si fillim do të tregoj rezultatet e para në ruajtjen mirëqenies të qytetarëve”, shtoi ai.
“Qeveria duhet ta vë në funksion edhe borxhin e jashtëm dhe atë publik, mirëpo gjithmonë duke e ruajtur likuiditetin dhe stabilitetin financiar të brendshëm, tha ai, për EO.
Ai ka thënë se vendimi i qeverisë do të duhej të merrej të paktën një javë ose dy javë më herët.
“Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë ishte i pritur nga sektori privat dhe nga gjithë ekonomia. Vendimi është i mirë dhe sipas gjykimit tim është dashur që të merrej pak më herët, të paktën një jave ose dy më herët megjithatë edhe tash është i mirëseardhur”.
“Nëse analizohet tani kjo pako nga prizmi i sektorit privat kërkesat janë shumë më të mëdha pasi që dëmet vlerësohen shumë më të mëdha mirëpo si injeksion fillestar për menaxhimin e situatës emergjente që është krijuar nga Coronavirusi atëherë vlerësohet pozitive por nëse e shohim nga prizmi i qeverisë duke i marr parasysh resurset besoj që për fazën fillestare edhe ata e kanë bërë maksimumin pasi që kemi hapësira të limituara”.