Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po vazhdon me bllokimin e kamionëve tregtarë të cilët vijnë nga Kosova.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se përveç kamionëve me origjinë nga Kosova, Serbia po bllokon edhe kamionët me origjinë nga vendet e tjera, por që shfrytëzojnë Kosovën si rrugë transit.
“Në fotografi, e cila është realizuar sot, shihet një kamion nga Republika Çeke i cili kthehet prapa nga autoritetet e Serbisë, përderisa tenton të hyjë në territorin e tyre nëpërmjet Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, bllokimet e tilla janë shkeljet e marrëveshjeve rajonale, pjesë të të cilave jemi i gjithë rajoni si të barabartë.
Më datë 1 prill Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe me reciprocitet.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë doganorë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.