Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se stafi mjekësorë që ka pasur kontakt me personin e vdekur nga Covid-19 mbrëmë është vetëizoluar.
Ahmeti në Info Magazine të Klan Kosovës bëri të ditur se të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare janë të përgatitura.
“Në përgjithësi jemi koxha të përgatitur nëpër qendrat e mjekësisë familjare, fillimisht qytetarët mund te thërrasin në telefon rreth simptomave që kanë. Kemi vendosur vendos një tendë ku bëhet triazhimi i personave të dyshuar, e kemi pas një rast para 2 ose 3 dite ku një person i njohur për sëmundje kronike nuk ka pasur simptoma të koronavirusit dhe dy ose tre herë kemi intervenu dhe pastaj i është bërë testi ku rezultoi pozitiv edhe pastaj ka vdek”.
“I gjithë stafi mjekësorë që kanë pasur kontakt me të janë vetëizoluar”.
“Çdo gjë tjëtër është në rregull, kemi mjaftushëm maska, doreza dhe rroba adekuate për të gjithë mjekët”.
Ahmeti ka thënë se qytetarët duke parë se çfarë po bënë virusi në botë duhet të jenë të kujdesshëm javët e ardhshme.
“Kjo sëmundje ka gjunjëzuar shtetet me nivel më të lartë të shëndetësisë se ne, natyrisht se ato shtete kanë mbërritur kulminacionin me të vdekur dhe infektuar, por ne ende nuk kemi mbërritur në këtë pikë e për këtë këto 2-3 javët e ardhshme duhet të kemi kujdes të shtuar e pastaj të diskutojmë rreth masave tjera”.
Ahmeti ka folur edhe rreth masave të reja që ka marrë komuna.
“Kemi pa ditëve të kaluar se kur ka qenë koha e mirë shumë njerëz kanë dalë. Qëndrojmë mirë me numrin e të infektuarve por kjo nuk duhet të na relaksojë pasi që dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare”
“Sheshet janë mbyllur pjesërisht, mund të kalohet por jo të shërbejë për grumbullim me familje, pas parqeve kemi vendos të mbyllim edhe sheshet”.
“Kemi marrë edhe masa tjera ku në secilin market të ketë një person që bën dezinfektimin e shportave dhe të mbajë distancën mes konsumatorëve”.
“Në komunë nuk mund të merrë askush shërbim nëse nuk ka doreza dhe maskë, kjo po bëhet për të mbrojtë punëtorët dhe qytetarët”, deklaroi Ahmeti.