Ahmeti: Thaçin nuk mundesh me fshi nga shpallja e Pavarësisë

Prishtinë | 03 Nën 2025 | 20:03 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se partitë duhet të gjejnë kompromis kur bëhet fjalë për të mirën e vendit.

“Jam ul kam nejt me LDK-në, kam nejt me PDK-në, me të gjithë, sepse në fund të fundit, fitorja nuk është pse unë nuk fola me asnjërin, fitorja është nëse ke mbërri me bë diçka qoftë edhe me bashkëpunime. I kam falënderuar publikisht edhe pse i kam pasur kundërshtarë, për diçka që po bëhet për të mirën e Prishtinës. Këtë nuk po e shoh sot. Kjo më ka penguar gjithë në politikë. Ky negativitet, kjo xhelozi, ky inat”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, nuk duhet të ketë inati të pa tejkaluara ideologjike.

“Në fund të fundit mundesh me qenë i djathtë, unë i majtë, nuk pajtohem me disa gjëra. Por pse nuk mund të ulesh dhe të gjesh një kompromis. Ne jemi shtyrë për Pallat të Operës, derisa mora vesh që problemi për Pallat të Operës është që LDK-ja kërkonte që ai ta kishte emrin Ibrahim Rugova. Kur e mora vesh që ishte ajo, po, po more vëlla, po, qysh mos me ia vendos emrin Ibrahim Rugova? Veç që jam Vetëvendosje me qenë kundër a?”, u shpreh ai.

Pos tjerash, ai foli edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, për të cilin tha se arritjet e tij historike për Kosovën, nuk mund të fshihet asnjëherë, pavarësisht nëse ka të këqija, apo jo.

“QKMF-së të Prishtinës ia kam vendos emrin e doktor Ganisë, që LDK-së po më duket ja nisi me i ardhë inati pse po ia vendos ky, pse nuk po na lë neve se ky ka qenë i joni. Këta njerëz e kanë rolin e vet historik. A i kanë të gjitha gjërat e mira? Jo. A ka për çka me u sha Hashim Thaçi? Sa të duash. Por nuk mundesh me e fshi nga shpallja e Pavarësisë”, u shpreh ai.

Të ngjashme