Radio Televizioni i Kosovës është gjobitur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkak se e ka fshehur buxhetin e dedikuar për organizimin e edicionit të sivjetmë të Festivalit të Këngës.
Express e ka siguruar njoftimin për shqiptimin e gjobës, të cilin AIP-ja ia ka dërguar zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Adi Krasta. Transmetuesi publik mund të dënohet nga 3,000 deri në 10,000 euro – kjo do të caktohet pasi RTK të kthejë përgjigje.
Juristja e medias, Flutura Kusari ishte ankuar në AIP për mungesën e transparencës nga ana e RTK-së rreth buxhetit të festivalit, duke shprehur dyshime rreth menaxhimit të tij.
“Si rrjedhojë e moszbatimit të vendimit A-873/2024 të AIP-së nga ana e RTK-së, Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke zbatuar paragrafin 3 të nenit 32 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, njofton zyrtarin kryesor administrativ të institucionit publik, që nuk ka zbatuar këtë vendim, që të shfrytëzojë afatin prej shtatë (7) ditësh shtesë për të përmirësuar shkeljen e evidentuar në vendimin e lartcekur, para se të shqiptojë gjobë administrative, sipas paragrafit 1 të nenit 32 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike”, thuhet në njoftimin e AIP-së për shqiptimin e gjobës.
AIP-ja ka konstatuar se RTK-ja si institucion publik “nuk ka ofruar qasje (përmes përgjigjeve) ndaj palës ankuese, në zbatim të vendimit të karakterit detyrues, të lartpërmendur, por ka zgjedhur të ofrojë sqarime arsyetuese, të cilat, autoriteti mbikëqyrës i ka gjetur si të pabazuara”.