Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka pranuar kërkesën e adresuar për de-klasifikimin e informacioneve për të realizuar qasjen në informata për shumën e mjeteve financiare të mbledhura në Fondin e Sigurisë së Kosovës.
“Në kuadër të realizimit të përgjegjësive dhe mandatit të saj ligjor, bashkëpunimit ndër-institucional dhe bashkëpunimit me Organizatat Jo -Qeveritare, si partnerë të rëndësishëm të Agjencisë në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies, Agjencia për Informim dhe Privatësi është në komunikimin me institucionin përgjegjës në lidhje me trajtimin e kërkesës së adresuar”, thuhet në njoftimin e AIP.
“Bazuar në kompetencat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, Agjencia nuk ka kompetencë të bëjë de-klasifikimin e informatave të klasifikuara nga institucionet publike, por mund të bëjë vetëm inicimin e procedurës për de-klasifikim, ashtu siç është përcaktuar me nenin 28 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, i cili shprehimisht parasheh se “Agjencia është gjithashtu kompetent që të inicioj procedurën për de klasifikimin e dokumenteve të klasifikuara”.
Agjencia për Informim dhe Privatësi thekson se mbetet e përkushtuar për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në Institucionet e Kosovës, përkatësisht realizimin e së drejtës për qasje në informacion dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Njoftimi i AIP-së vjen pasi katër organizata joqeveritare (IKD, INPO, FOL dhe YIHR-KS) kërkuan sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke deklasifikuar këto informata.
LEXO EDHE: