Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka pranuar informacion nga mediat elektronike se, Komuna e Gjakovës ka publikuar në ueb faqen zyrtare të saj (internet) për një kohë lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave (qytetarëve) në mesin e tyre ka publikuar të dhëna personale të ndjeshme (të dhëna shëndetësore), të cilët kanë fituar subvencione shëndetësore për vitin 2024.
Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP ka konstatuar se Komuna e Gjakovës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve personale (të dhëna të ndjeshme), të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, numrin personal, diagnozën e sëmundjes, numrin e llogarisë bankare, numrin e telefonit të personave fizik që kanë përfituar subvencione shëndetësore për vitin 2024, si dhe shumën e përfituar. Përmes publikimit të këtyre të dhënave, e njëjta ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me dsipozitat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me Vendim Nr. 105/24, të datë 14.06.2024, ka ndërmarr të gjitha veprimet ligjore ndaj Komunës së Gjakovës, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale.
Me këtë rast, AIP njofton se do të vazhdoj inspektimet e ueb faqeve zyrtare për të gjithë kontrolluesit publik, me theks të veçantë komunat e Republikës së Kosovës dhe u bënë thirrje të gjithë institucioneve publike, që përpunimin e të dhënave personale të bëjnë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura në harmoni me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.