Aleanca Shqiptare – një koalicion i përbërë nga katër parti politike: Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është formuar para zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ky koalicion do të garojë për pushtet më 12 tetor në komunën e Graçanicës.
Përveç kandidatit për kryetar komune, Aleanca Shqiptare ka edhe 9 kandidatë për asamblenë komunale të Graçanicës.
Leutrim Ajeti, i cili ka kandiduar për kryetar komune, në një bisedë për Radio Kim thotë se Aleanca Shqiptare është mirëpritur nga qytetarët.
“Kam theksuar disa herë në emisione të ndryshme se ne, si Aleancë Shqiptare, jemi të hapur për të gjitha komunitetet pa asnjë dallim. Nuk është vonë, kushdo që dëshiron mund të vijë dhe të kontribuojë në Aleancën Shqiptare, e cila ekziston tash katër vjet. Qëllimi ynë është të ndërtojmë së bashku një ekip të fortë që do të udhëheqë komunën e Graçanicës. Për mua, përkatësia etnike e askujt nuk është e rëndësishme. Dua të kem në ekipin tim profesionistë dhe ekspertë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i zgjidhim problemet e komunës së Graçanicës dhe ta bëjmë edhe më të bukur”, thotë Ajeti.
Graçanica e përshtatshme për biznes dhe zhvillim të bujqësisë
Ai thotë se Graçanica është një nga zonat më të mira si për jetesë, ashtu edhe për biznes dhe zhvillim të bujqësisë.
“Një përparësi tjetër e komunës së Graçanicës është afërsia me kryeqytetin, Prishtinën, gjë që e bën edhe më të veçantë. Ky pozicion gjeografik i mundëson Graçanicës të realizojë të ardhura të mëdha falë zhvillimit të ndërmarrjeve, që është një nga karakteristikat kryesore të saj”, theksoi ai.
Problemet – transporti publik, qentë endacakë, mjedisi, mungesa e sheshit, spitalit…
Sipas Ajetit, problemet kryesore në Graçanicë janë mungesa e transportit publik dhe ndotja e mjedisit. Ai shton se do të këmbëngulë më shumë për këto çështje nëse merr pushtetin.
“Mendoj se do të këmbëngulim më së shumti në transportin publik dhe në çështjen e mjedisit, për të cilën do të formojmë menjëherë një grup pune që do të përbëhet nga ekspertë të mjedisit në nivel lokal, shoqëri civile dhe nivel qendror, ku do të shqyrtojmë dhe hartojmë një plan dhe strategji që do të merret urgjentisht me çështjen e mjedisit në komunën e Graçanicës. Sepse, siç dihet, gjendja është shumë serioze, këtu do të përmendja mbetjet e minierës në Kishnicë, lumin e Graçancës dhe ujërat e zeza. Sa i përket transportit publik, kjo do të jetë gjithashtu një nga prioritetet kryesore për t’u zgjidhur.”
Krijimi i transportit publik, sipas tij, është një nga kërkesat më të mëdha të qytetarëve.
I pyetur për sistemin e ujësjellësit në Graçanicë për të cilin janë shpenzuar miliona euro dhe që ende nuk është plotësisht funksional, Ajeti thotë:
“Gjatë mandatit tim, sa i përket furnizimit me ujë, kam punuar në tre vendbanime: në Kishnicë është zëvendësuar instalimi i vjetër prej azbesti dhe tani është vendosur një i ri. Në Uglar janë vendosur tuba të rinj në një lagje ku nuk kishte fare ujësjellës, ndërsa në fshatin Batusë kemi vendosur tuba të rinj të cilët ende nuk janë funksionalë, por pritet që së shpejti të jenë. Gjatë mandatit tim presim t’i identifikojmë dhe do të punojmë për përfundimin e tyre, në mënyrë që çdo vendbanim të ketë ujësjellës. Do të punojmë edhe për rritjen e presionit të ujit, sepse ka ankesa për presion të ulët në terren”, premton kandidati i Aleancës Shqiptare për kryetar.
Ajeti është politikan i ri, por ka përvojë shumëvjeçare në politikën lokale. Në Komunën e Graçanicës në mandatet e mëparshme ka qenë si asamblist ashtu edhe zëvendës-kryetar komune.
“Kam qenë në Kuvendin Komunal për tre muaj. Po ashtu, gati katër vjet kam qenë zëvendës i kryetarit të komunës dhe dhjetë vjet kam qenë edhe zyrtar në komunën e Graçanicës. I njoh dhe jam i njohur me problemet e komunës së Graçanicës, pothuajse të gjithë qytetarëve që jetojnë në komunën e Graçanicës. Përmenda dy prej tyre: mjedisin dhe çështjen e transportit publik. Mendoj se komunës së Graçanicës i nevojitet edhe një shesh, që e konsideroj prioritet. Mund të them se ky është prioriteti kryesor – sheshi, së bashku me parkingjet dhe nënkalimin, në mënyrë që të shmangen bllokadat e mëdha që krijohen në qendër të Graçanicës”, tha ai.
Ajeti thekson se në programin e tij përfshihet edhe ndërtimi i një spitali dhe zgjidhja e çështjes së qenve endacakë.
“Ka edhe dy prioritete të tjera kryesore: trajtimi i qenve endacakë, për të cilët ankohen të gjithë qytetarët dhe ndërtimi i spitalit, i cili ka filluar diku rreth vitit 2010 apo 2012, por është ndërprerë. E konsideroj si një nga kërkesat më të mëdha të banorëve të komunës së Graçanicës, pa dallim – serbë, shqiptarë, romë dhe ashkali. Gjithashtu, infrastruktura është një nga premtimet që e kam përmendur më herët – do të ketë asfaltim, ndriçim, trotuare, kanalizim…”, thotë ai.
Thirrje votuesve për të dalë në zgjedhje
Kandidati i Aleancës Shqiptare është i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të fushatës zgjedhore.
“Fushata jonë po shkon shumë mirë, po takohemi me çdo qytetar të komunës së Graçanicës për t’i dëgjuar kërkesat, ankesat, pasiguritë dhe problemet e tyre. Po i mbledhim të gjitha, për t’iu përkushtuar zgjidhjes së tyre gjatë mandatit tonë katërvjeçar.”
Qytetarëve u bëri thirrje që të dalin në votim më 12 tetor.
“Unë do të jem zëri i tyre si kryetar, ndërsa ekipi im në Aleancën Shqiptare do të jetë zëri i qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fenë apo gjininë. Do të jem kryetar i të gjithëve dhe do të punoj për të gjithë. Këtë po ua garantoj dhe premtoj nga këtu. I ftoj të gjithë qytetarët e Graçanicës, pa marrë parasysh bindjet e tyre, të votojnë për mua dhe të na japin besimin për të udhëhequr komunën e Graçanicës. Që nga tani marr përsipër të mos bëj asnjë dallim dhe se do ta përzgjedh me kujdes ekipin tim, i cili do të jetë multietnik. Ashtu siç është edhe komuna multietnike, si në pushtetin ekzekutiv ashtu edhe në kabinet”, thotë Ajeti.
Ai shton se Aleanca Shqiptare pret rezultate të mira në zgjedhjet lokale në Graçanicë. Ky koalicion gjendet në fletëvotim me numrin rendor 100.
Leutrim Ajeti, kandidati i Aleancës Shqiptare, ishte mysafir në Radio Kim në kuadër të programit të lirë zgjedhor.