Qendërmbrojtësi i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe i Grasshopers, Arlind Ajeti, e ka komentuar shkarkimin e Christian Panuccit nga pozita e trajnerit të kuqezinjve, duke thënë se italiani ndoshta s’i kuptonte lojtarët si shqiptarë.
Më 23 mars, disa orë pas humbjes në “Loro Boriçi” nga Turqia, në ndeshjen e parë eliminatore për “Euro 2020”, Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se Christian Panucci është shkarkuar nga pozita e trajnerit.
FSHF-ja gjithashtu bëri të ditur se “ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në udhëtim do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”.
Pavarësisht humbjes 0-2 në shtëpi, që ishte e katërta me radhë që Shqipëria s’di për fitore – Panucci sërish fajin ua la lojtarëve, duke thënë: “kjo është skuadra, këta lojtarë kam”.
Tani, 25-vjeçari, i cili i ka bërë 19 paraqitje për Shqipërinë, e ka komentuar shkarkimin e Panuccit dhe mundësinë që në vend të tij të vijë Edy Reja.
“Trajneri Panucci donte që të fokusoheshim gjatë gjithë grumbullimit, por ne jemi paksa më ndryshe se gjithë të tjerët në karakteristikat tona. Ndoshta nuk arriti asnjëherë të na kuptonte si shqiptarë”, është shprehur Ajeti për A2 News.
“Qëndronim gjatë gjithë kohës në hotel dhe kjo nuk është më e mira. Me Andorrën ishin të gjithë lojtarët të lirë. Shpresojë që trajneri i ri do e kuptojë kufirin mes fokusimit te ndeshja dhe lirisë së lojtarët. Trajnerët italianë janë taktikisht shumë të fortë”.
“Nuk besoj se është ide e keqe Edi Reja. I kemi treguar cilësitë tona shpeshherë. Shpresoj se do të marrim 6 pikë në 2 sfidat e radhës. Do të rikthehem me skuadrën pas largimit të trajnerit. Besoj se do e kem përsëri shansin të luaj me trajnerin e ri”.
Pasi u shkarkua nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares Shqiptare, Christian Panucci tashmë ndodhet në Itali ku po pret oferta për ta vazhduar karrierën e tij si trajner.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se ish futbollisti i njohur e ka tërheq interesimin e disa klubeve nga Serie B – kategoria e dytë e futbollit italian. Mirëpo, së fundmi Panucci i ka nisur bisedimet me drejtuesit e Romës.
Klubi i madh nga Serie A po mendon seriozisht që t’ia besojë një projekt shumë të rëndësishëm ish futbollistit të vet. Thuhet se palët tashmë e kanë arritur një marrëveshje të cilën shumë shpejt do ta zyrtarizojnë me nënshkrimin e kontratës. Panucci do ta marrë me vete në Romë edhe Marco Casettin, të cilin e kishte bashkëpunëtor edhe në Shqipëri.