Ajeti: Regjistrojini fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Gjermani

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, po u bën thirrje prindërve shqiptarë në landin e Berlin-it dhe të Brandenburg-ut që të bëjnë lajmërimin e fëmijëve të tyre për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në shkollat publike gjermane.

Me anë të një videoje të postuar në llogarinë e ambasadës në Facebook, ai sqaron se regjistrimi duhet të bëhet te mësuesit ose drejtoritë e shkollave përmes plotësimit të formularëve, dhe se kriteri kryesor që në një shkollë të ketë mësim plotësues të gjuhës shqipe është kërkesa prej të paktën 12 nxënësve shqiptarë në një shkollë.

Gjatë sqarimit të procedurave, ambasadori Ajeti po ashtu shihet edhe duke folur para objektit të shkollës fillore që mban emrin e një shqiptari, gjegjësisht shkolla “Refik Veseli” në Berlin, duke thënë se aty fatkeqësisht nuk zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe ngase nuk është paraqitur asnjë kërkesë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

“Të dashur prindër. Dëshironi vërtetë që fëmija juaj të mësojë edhe më mirë gjuhën e bukur shqipe? Atëherë shfrytëzojeni këtë mundësi. Mjafton që në një ditë të bukur, duke i dërguar fëmijët tuaj në shkollë, të ndani vetëm pesë minuta më shumë për ta plotësuar formularin”, shprehet ambasadori Faruk Ajeti.

Të ngjashme