Ajvaz Shehu rivarroset pranë të afërmve në Krushë të Vogël, 27 vite pas tragjedisë

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Ajvaz Shehu, një nga viktimat më të reja të masakrës së Krushës së Vogël, është rivarrosur në 27-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, pasi familja e tij vendosi t’i japë më në fund lamtumirën e dinjitetshme, raporton Ekonomia Online.

Edhe pse eshtrat e tij ishin gjetur dhe identifikuar para tetë vitesh, varrimi ishte shtyrë për shkak se nëna e tij nuk kishte pranuar ta pranonte vdekjen e djalit.

Vetëm pas vdekjes së saj, familjarët vendosën që Ajvazi të prehet pranë të afërmve të tjerë të vrarë në këtë masakër.

Ajvaz Shehu ishte vetëm 16 vjeç kur u zhduk me forcë gjatë masakrës së 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.

Vendimi për varrimin e tij në përvjetorin e 27-të të masakrës shënon për familjen një moment të dhimbshëm, por njëkohësisht edhe një lehtësim shpirtëror, pasi pas shumë vitesh pritjeje, ata më në fund kanë një vend ku mund ta kujtojnë dhe nderojnë./Ekonomia Online

Të ngjashme