Komuna e Vushtrrisë ka organizuar një akademi përkujtimore me rastin e pesëvjetorit të ndarjes nga jeta të humanistit dhe mjekut të njohur, doktor Safet Idrizi, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, kolegë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë që kujtuan me respekt figurën e tij.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka deklaruar se doktori gjithë jetën e tij ia kushtoi shërbimit ndaj njerëzve, unitetit dhe bashkimit.
“Të gjithë të bashkuar ashtu siç ka dashur doktori, ashtu që t’iu shërbejë të gjithëve, ai e deshi unitetin, bashkimin, akumuloi dhe shpenzoi shumë energji për respekt për secilin. Andaj pjesëmarrësit sot dëshmojnë se doktorin e deshët shumë dhe iu deshi shumë. Zoti iu dhëntë shëndet dhe mirësi në familjet tuaja, në parajsë shpirti i doktorit që shërbeu tërë jetën”, ka deklaruar Idrizi.
Ndërsa profesori Nystret Pllana theksoi se ndihet i nderuar që ka realizuar një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së doktor Safetit, të cilin e quajti “mjek shembullor dhe humanist me zemër të madhe”.
“Unë jam shumë i nderuar dhe i privilegjuar nga familja Idrizi që ma besuan një detyrë që ka të bëjë me shërbim të mos harresës së kujtesës historike, ta bëj një dokumentar për një njeri të madh, për një mjek shembullor, për një njeri humanist me zemër të madhe i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes madhore kombëtare. Sinqerisht po ju them, do të ndihesha shumë i zbrazët të shkoja në botën e amshuar dhe të mos e njihja veprimtarinë e madhe atdhetare të këtij burri të madh, të heroit që sot po ia kushtojmë akademinë përkujtimore dhe dokumentarin të cilin kam arritur ta finalizoj me një punë të jashtëzakonshme duke iu falënderuar të gjithë mjekëve dhe bashkëluftëtarëve të doktor Safetit. Ai nuk dinte se çka është lodhja dhe më ka bërë edhe mua krenar që isha bashkëluftëtar i tij”, ka thënë Pllana.
Në fund të akademisë, kryetari i OVL-së, dega në Vushtrri, Muhamet Aliu, ndau një mirënjohje për djalin e dr. Safet Idrizit, në shenjë respekti për kontributin dhe sakrificën e familjes.


