!
Përpara disa ditësh ish-nënkryetari, ish-kryetari, ish-kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Akademisë të Shkencave, ish-kryetari i këshillit të botimeve, Akademiku i Përjetshëm, ish–drejtori, etj.,
në fakt i njejti njeri,
me shumë identitete institucionale,
në një gjoja intervistë,
paralajmëroi se Akademia e Shkencave propozonte që vitit 2019 të jetë viti i Ismail Qemalit!
Në fakt, asnjë qendrim kreativ. Viti 2018 a nuk ishte i Skënderbeut? Përse viti 2019 të mos jetë i Ismail Qemalit? E kështu me radhë, viti 2020 të jetë i Kongresit të Lushnjes, viti 1921 të ketë një emër, e me radhë deri në vitin 2099!
Në fakt, Ismail Qemali është babai i shtetit modern shqiptar, ati i Pavarësisë, dhe i meriton të gjitha nderimet!
Por, me emrin e Ismail Qemalit nuk mund të ruhen privilegjet edhe për vitin 2019, të paraqitet si shëndet kalbëzimi i Akademisë të Shkencave.
Por çështja nuk është fare këtu.
Problemi është se Akademia e Shkencave, krejt e parinovuar, e zhytur krejtësisht në ujrat e një konservatorizmi të sëmurë, pa asnjë projekt institucional për t’u rithemeluar a riformatuar, po vazhdon avazin e vjetër.
Më shumë vepron e gjykon si agjenci eventesh, si sipërmarrje organizimi ceremonish, si agjenci funeralesh e dasmash, a datëlindjesh, sesa si institucion që drejtohet nga logjika dhe strategjia e kërkimit shkencor.
Edhe në këtë rast vepron njësoj : Propozimi në fjalë niset nga një përvjetor vdekjeje për të parashikuar një projekt shkencor. Nuk niset nga gjendja e kërkimeve shkencore ta zemë për Pavarësinë, për Ismail Qemalin, etj., për të gjykuar nëse a ka burime të reja informacioni, a ka prurje shkencore të reja, që e bëjnë të mundshme dhe të domosdoshme një tematikë qendrore si ajo e Ismail Qemalit. Por, niset nga një koinçidencë vitesh për të imponuar tematikën shkencore themelore për vitin 2019 Akademisë të Shkencave!!!
Me një fjalë vepron njësoj sikur të ishte agjenci ceremonish shtetrore!
As i shkon ndërmend të bëjë një investigim shkencor mbi gjendjen e studimeve shqiptare dhe të huaja mbi Pavarësinë! As i shkon ndërmend të shqyrtojë vështirësitë dhe avancimet e kërkimit shkencor për cështjet e Pavarësisë. As i shkon ndërmend të merret vesh për të parë gjendjen e këtyre studimeve në Akademitë e Shkencave të rajonit që merren me shqyrtimet e çështjeve shqiptare!
Dhe gazetares që merr vesh nga metodologjia dhe strategjia e kërkimit shkencor, po aq sa edhe i intervistuari, nuk i shkon fare ndërmend të bëjë pyetje që ta cysin të intervistuarin drejt çështjeve me interes publik. Thjesht bën qokën e radhës.
Nuk është argumenti shkencor që prevalon për të ndërtuar një strategji shkencore në kokat akademike. Jo, argumentimi i ish drejtorit, ish nënkryetarit, ish kryetarit, ish kryetarit të këshillit ekzekutiv, ish kryetarit të këshillit të botimeve, i Akademikut të Perjetshëm, është krejt tjetër.
Nga 2019 heqim 1919 (kur vdes Ismail Qemali) jep fiks 100 ! A nuk mjafton që Akademia e Shkencave ta shpalli e ta propozojë këtë vit të Ismail Qemalit!
Shteti shqiptar do të duhej ta kishte në qendër të ceremonive. Patjetër! Por, Akademia e Shkencave është mësuar t’a kuptojë veten në një pozicion që nuk ja ka dhënë njeri! Nuk është agjenci ceremonish!
Edhe me vitin e Skënderbeut kështu ndodhi. Dy pyetje mbetën pa përgjigje. E para, cfarë të rejash u thanë për heroin tonë kombëtar në të gjitha ato tekste me pretendime shkencore që u afishuan. Midis tyre kishte shumë pak të një niveli të lartë, por ndërkohë u mbushën minutat edhe me tekste pa asnjë dobi dhe interes shkencor. Pyetja e dytë ka të bëjë me atë se cili është kontributi përmbajtësor i antarëve të Akademisë të Shkencave në produktin shkencor për Skënderbeun? Pothuajse inekzistent sepse kemi një fakt të thjeshtë : Në Akademinë e Shkencave nuk ka specialistë për Skënderbeun. Por, kjo nuk e pengon fare Akademinë e Shkencave të marrë pozita formaliste dhe institucionaliste duke pretenduar se organizon aktivitete shkencore për Skënderbeun!!!
Tani meqë “miu kaloi një herë nën mustaqe”, oreksi vjen duke ngrënë. Duam edhe një vit ku të organizojmë aktivitete shkencore për Ismail Qemalin.
Kjo vjen nga që Akademia e Shkencave refuzon të gjëjë pozicionin e saj të vërtetë që duhet të ketë në sistemin e kërkimit shkencor shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë. Poqese e merr këtë rol, brenda Akademisë të Shkencave duhet të bëhet një qilizmë e thellë. Ngaqë kjo shihet si të ishte fundi i botës nga disa që majmen me lekët e taksapaguesve duke prekur rroga dhe honorare njeri pas tjetrit, atëhere Akademia e Shkencave hiqet sikur mund të marrë role për të cilat nuk ka asnjë kompetencë shkencore.
Eshtë mësuar të hiqet, të bëjë sikur. Përpara disa muajsh habiteshe kur shihje që Akademia e Shkencave bëhej bashkëorganizatore për një konferencë shkencore për kërkimet arkeologjike. Nga dhjetra autorë që referonin, nuk kishte asnjë arkeolog akademik që të kishte një punim shkencor. Jepte vetëm logon, sallën pa qira!
Përpara disa muajsh përsëri nën drejtimin e ak. Salvator Bushatit organizohej një kolokium a konferencë për çështje teorike të fizikës, a astronomisë, a energjisë, nuk më kujtohet mirë, ku referonin universitarë nga vendi dhe të huaj, por pa asnjë kontribut substancial nga Akademia e Shkencave. Akademia e Shkencave jepte ndofta sallën pa qira, logon pa qira, dhe ndonjë koktejt në fund. Pyetja ishte : Përse merr Akademia e Shkencave rolin që nuk i takon, pra atë të fakultetit të shkencave të natyrës?
I ngjan dikujt që ngaqë nuk bën dot punën që duhet të bëjë, tund derën sipas parimit më mirë puno kot sesa rri kot!
Cfarë do të thonë akademikët kur ndofta vetëm njeri ose e shumta dy mund të jenë specialistë të fushës të periudhës të Pavarësisë?
Kur ka një Institut historie që merret me këtë objekt kërkimi shkencor?
Apo dikush që merret me ekologji do të trajtojë çështjen Lumi i Vlorës dhe ndikimi i mikroklimës të tij mbi firmëtarët e Pavarësisë!
Dikush që merret me gjeofizikë: Kriporja e Pyllit të Sodës dhe ndikimi i kripës të detit mbi patriotizmin e kohës!
Dikush që merret me ilirët: Shqiptarët dhe tradita ilire për Pavarësi!
Dikush që merret me fizikë : Ruajtja dhe transformimi i energjisë të masës në historinë politike shqiptare!
Se tjetër nuk ka asnjë mënyrë trajtimi!
Akademia e Shkencave i qendron kokëfortë një metodologjie të mbrapshtë ceremoniale të ardhur që nga koha e diktaturës. Nuk niset nga logjika shkencore për të ndërtuar strategjinë e saj vjetore dhe ceremonialin e saj, por niset nga koinçidenca datash përkujtimore për të marrë ato role që i takojnë ceremonialit të shtetit, Muzeut Kombëtar, a ndonjë institucioni tjetër.
Edhe në dokumentin për reformim që Akademia e Shkencave ka paraqitur sipas grupit krejt jofunksional dhe aspak reformator që ka ngritur, vazhdojnë të mbijetojnë të gjitha mentalitetet konservatore të dikurshme. Po i njejti mentalitet që e degradoi. Thuhet se Akademia e Shkencave organizon konferenca shkencore, etj. Ngatërrohen objektivat me mjetet e realizimit të tyre. Por, nuk thuhet se për çfarë tematikash i organizon këto këto simpoziume dhe konferenca shkencore? Përse merr role që i kanë institucionet e specializuara shkencore?
Sepse pretendon konferenca ceremoniali ku jep logon pa qira, pa përmbajtje, jep sallën me qira ose pa qira, pa kontribute shkencore akademikësh, jep emrin pas të cilit nuk ka asnjë rol specifik.
Akademia e Shkencave duhet të përcaktojë specifikën e misionit të saj, çka nuk pranohet, censurohet prej vitesh nga disa individë që e kanë zënë për fyti institucionin, si të ishin puçista institucionalë që nuk njohin as ligj e as statut, por që prej kohe synojnë të ruajnë privilegje duke e shitur akademinë e shkencave si agjenci ceremonish, si të ishte agjenci funeralesh, dasmash a ditëlindjesh!