Pas reagimeve të jashtëzakonshme që shkaktoi dhënia e Nobelit të sivjetshëm të letërsisë shkrimtarit Peter Handke, një përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, foli dhe Akademia Suedeze.
Sekretari i përhershëm i saj, Mats Malm, tha për New York Times se komiteti i bën përzgjedhjet mbi baza letrare dhe estetike dhe se “nuk është mandati i akademisë të balancojë cilësinë letrare kundrejt konsideratave politike”.
CNN-i po ashtu kërkoi një koment lidhur me vendimin polemizues, jehona negative e të cilit, vazhdon ende. Përgjigja që mori gjiganti mediatik amerikan ishte se “asnjëherë nuk i komentojmë përzgjedhjet e pavarura të cilat jepen nga institucionet që zgjedhin laureatët për Çmime Nobel”.
Romani i parë debutues i Handke “Die Hornissen” u botua në 1966, dhe vepra e tij e vitit 1970 “Die Angst des Tormanns beim Elfmeter”, u kthye në film nga regjisori i njohur gjerman Wim Wenders.
Sipas analistit Florian Bieber nga Universiteti i Gracit, ajo që e bën këtë zgjedhje edhe më problematike është fakti se idetë e Handkes pro nacionalizmit serb, janë reflektuar edhe në punën e tij, shkruan Top Channel.
“Ai ka këmbëngulur në mbrojtjen e bërë atij që unë do ta quaja pozicion nacionalist serb”, tha Bieber.
Kjo, shtoi analisti, e bën dhënien e çmimit shumë problematike sepse nuk janë vetëm deklaratat e tij politike, por i ka përfshirë në shkrimet e tij dhe tre libra që reflekton këto pikëpamje, dy nga të cilët shënime udhëtimesh dhe një skenar për pjesë teatrale.