I është dhënë lamtumira e fundit e akademik Idriz Ajeti, raporton Ekonomia Online.
Varrimi i Ajetit është bërë në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Jusuf Bajraktari profesor si dhe mik i të ndjerit Idriz Ajetit gjatë ceremonisë së varrimit tregoi për aktivitetin e tij sa ishte gjallë.
“Në vitin 1953-1960 punoi drejtor i albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 u doktorua me temën zhvillimi historik. Fushat kryesore të interesimit të tij shkencor kanë qenë studimet e dialekteve. Ai ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të gjuhës shqipe. Në vitin 1969 ai u zgjodh drejtor i institutit Albanologjik në Kosovë. Ndërsa në vitin 1973-1975 ai u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës. Ai u zgjodh kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i konferencës së Rambujesë”, tha Bajraktari në ceremoninë e varrimit.
Para varrimit të akademik Ajetit janë bërë homazhe në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Poashtu për akademikun e nderë është mbajtur edhe akademi komemorative e organizuar nga AShAK-u.
Idriz Ajeti ka ndërruar jetë në morën 102-vjeçare. Ai ishte albanolog, gjuhëtar e intelektual, pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate.
Ajeti ka lindur në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917.
Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938.
Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës.
Ajeti ishte edhe kryetar i Parlamentit të Kosovës, në kohën më të vështirë të vendit si dhe ishte pjesë e konferencës së Rambujesë të vitit 1999.